Elvis Kotorri zbulon të vërtetën: Ja pse dhashë dorëheqjen nga pankina e Elbasanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 7, 2019 | 17:28

Elvis Kotorri zbulon të vërtetën: Ja pse dhashë dorëheqjen nga pankina e Elbasanit

Elvis Kotorri jep dorëheqjen nga pankina e Elbasanit. Humbja ndaj Pogradecit në shtëpi në shifrat 0-3 në “Elbasan Arena” duket se nuk është “përtypur” dhe Kotorri ka vendosur të mos vijojë më aventurën në pankinën elbasanase. Kotorri mori “çelësat” e pankinës verdheblu fill pas javës së dytë të kampionatit, pas dorëheqjes së Eriol Merxhës.

Kotorri

Ndonëse drejtuesit verdheblu kanë tentuar ta bëjnë Kotorrin të rishikojë vendimin dhe të vijojë aventurën me klubin, ky i fundit nuk ka bërë prapakthehu, duke preferuar që t’ia lërë pozicionin dikujt tjetër që ndoshta bën më mirë me ekipin.

Për momentin, në krye të pankinës do të jetë zv/trajneri Marsid Dushku, të paktën deri në gjetjen e një tekniku tjetër. Por, duke parë që kampionati është drejt fundit, vështirë se verdheblutë do të hynin në “merkato” për të afruar një tjetër trajner.

KOTORRI

“Panorama Sport” kontakoi me Elvis Kotorrin për të mësuar më shumë rreth këtij lajmi, i cili ka konfirmuar dorëheqjen, por beson se në fund të edicionit Elbasani do t’ia dalë të mbijetojë në Kategorinë e Parë. “Po, mund t’ju konfirmoj që kam dhënë dorëheqjen si trajner i skuadrës së Elbasanit.

Elvis Kotorri Elbasani

Pas rezultateve jo të mira, për më tepër pas asaj humbjeje ndaj Pogradecit, e pashë të arsyeshme të jap dorëheqjen. Këtë e bëra për t’i hapur rrugën një trajneri tjetër, për t’i dhënë skuadrës një impuls tjetër. Dua të falënderoj presidencën për besimin që më ka dhënë për aq kohë sa kam qenë trajner i Elbasanit. Unë do të jem gjithnjë tifoz i kësaj skuadre dhe shpresoj që në fund të sezonit ekipi të mbijetojë.

Kushdo që të jetë trajner i uroj shumë suksese dhe shpresoj të realizojë objektivat e skuadrës. Më vjen shumë keq për gjendjen që po kalon ekipi, sepse bëhet fjalë për një klub me tradita”, u shpreh për gazetën ish-trajneri i skuadrës së Elbasanit. Kotorri e drejtoi Elbasanin në 17 sfida në Kategorinë e Parë dhe e mori ekipin në një gjendje gati të pashpresë.

Kotorri dhe Lamcja

Mirëpo, me kalimin e javëve erdhën edhe rezultatet pozitive, me skuadrën që iu largua edhe vendit të fundit në klasifikim. Kur kanë mbetur edhe shtatë sfida nga mbyllja e kampionatit, Kotorri vendosi ta lërë në mes aventurën e tij me verdheblutë.

KRIZA

Prej disa sezonesh, klubi i Elbasanit është duke kaluar një krizë të rëndë. Marrëveshja për shitjen e aksioneve të klubit tri vite më parë dështoi, ndërsa ekipi provoi që për një sezon të luante edhe në Kategorinë e Dytë.

Pranë skuadrës ka qëndruar gjatë gjithë kohës presidenti Arben Laze, ndërsa Bashkia e Elbasanit, edhe pse ka deklaruar se do të jetë në mbështetje të klubit nga ana financiare, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Pasojë e kësaj krize është edhe gjendja aktuale e skuadrës që renditet në vendin e parafundit dhe rrezikon shumë mbijetesën në të Parën.

VLADIMIR MEMA t

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"