Elbasani “hap thesin”, rikthehen edhe 2 futbollistë të tjerë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2018 | 14:29

Elbasani “hap thesin”, rikthehen edhe 2 futbollistë të tjerë

Elbasani bën dy goditjet e radhës në merkaton e janarit. Konfirmohet lojtari që “Panorama Sport” e pati paralajmëruar para disa ditësh, se ishte në planet e klubit verdheblu. Bëhet fjalë për ishmesfushorin e Dinamos, Mateos Toçin. Futbollisti ka dalë gjatë ditës së djeshme në stërvitje me Elbasanin dhe mund të konsiderohet si një afrim zyrtar, teksa nuk ka probleme as me dokumentacionin dhe është një lojtar i lirë.

elbasani-470x353

Toçi ka qenë prej vitesh futbollist i Elbasanit, por me rënien e skuadrës në të Dytën, preferoi të largohej për te Dinamo. Por, ashtu si edhe të tjerët e afruar gjatë kësaj merkatoje dimri, rrugët u bashkuan sërish me klubin mëmë.

Me këtë afrim mund të thuhet se verdheblutë bëjnë një goditje në merkato, pasi bëhet fjalë për një futbollist të afirmuar në futbollin shqiptar dhe do të rrisë më shumë cilësinë në klubin elbasanas. Përpos Toçit, në stërvitje me verdheblutë ka dalë edhe sulmuesi Gerson Stojku, edhe ky një elbasanas, që migroi në të tjera ekipe gjatë sezoneve të fundit, por tani pritet të japë kontributin në klubin elbasanas.

Elbasani-470x267

Me afrimin e Stojkut pritet të rritet edhe konkurrenca në majën e sulmit pasi janë disa lojtarë, që do të luftojnë për një pozicion titullari. Tani edhe tekniku Merxha mund të ndihet më komod për sa u përket mundësive në zgjedhje pasi alternativat nuk i mungojnë. Numri i të afruarve shkon në 6 në merkaton e janarit.

Kështu, fillimisht u afruan Tafani dhe Bullari nga ekipi i Shkumbinit, për të pasuar më pas me Kasën nga Luftëtari dhe Suvarinë nga Dinamo. Kësaj liste iu bashkuan së fundmi Toçi me Stojkun.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"