EKSKLUZIVE/ Zbulohet biseda, Kostiç i tregon “vendin” Dejvi Bregut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2018 | 22:14

EKSKLUZIVE/ Zbulohet biseda, Kostiç i tregon “vendin” Dejvi Bregut

Luftëtari do të tentojë mrekullinë të enjten në “Elbasan Arena”. Rezultati 5-0 në ndeshjen e parë duket si një mision i pamundur për ta përmbysur, por gjithsesi gjirokastritët nuk kanë asgjë për të humbur në këtë takim të kthimit. Me dëshirën e madhe për të reflektuar sa më shpejt, ekipi vijon përgatitjet në fushën e stadiumit.

bregu kostic

Trajneri Millosh Kostiç është i vendosur për të marrë maksimumin nga të tijtë, edhe pse shpresat për një kualifikim të mundshëm u venitën që në Letoni. Seanca e pasdites së djeshme startoi në orën 18:00, ku fillimisht lojtarët kryen ushtrime aerobike, të shoqëruara me ngarkesa të lehta fizike nën drejtimin e zv.trajnerit Amir Botonjiç dhe përgatitësit atletik, Kostas Kolicidhas.

luftetari

Në një moment, kur të gjithë po stërviteshin, befas trajneri Kostiç thërret Dejvi Bregu. Për afro 8 minuta, i veçuar duke qëndruar bashkë me vlonjatin në mes të fushës, slloveni bisedon me lojtarin. Nga ajo që u kuptua nga të pranishmit, dukej qartë se trajneri është i pakënaqur me angazhimin e yllit të Luftëtarit në tri sezonet e fundit.

luftetari stervitje

Në Letoni sulmuesi i krahut zhgënjeu ashtu si gjithë skuadra. Kostiç mundohej t’i sqaronte në anglisht Bregut se nuk duhet të mbajë më shumë seç duhet topin. Meraku i sllovenit është që aksionet të mos ngadalësohen dhe të bëhen të lexueshme, sa herë vlonjati është me topin në këmbë. Në thuajse çdo kritikë të trajnerit, Bregu miratonte gjithçka me lëvizjet e kokës. Pas këtij diskutimi me trajnerin, vlonjati iu bashkua grupit në stërvitje. Skuadra nisi të bënte disa ushtrime në formë rombi. Teksa futbollistët kryenin një prej ushtrimeve me top, Kostiç disa herë ka ndalur lojtarët kur konstatonte mospërpikmëri në realizim.

KRAHU I MAJTË

Kostiç ka urdhëruar vendosjen e portave të lëvizshme para pikave respektive të penalltive. Dy formacione me nga 11 lojtarë ndau në fushë trajneri. Krahu i majtë i mbrojtjes dhe sulmit, që përbëhet nga Xhekson dhe Bregu, u vendosën me skuadrën e rezervave.

Si titullarë e nisën Liçaj në të djathtë, Rapa e Janiçiç në qendër, si dhe Rapo që i merr vendin Xheksonit në të majtë. Para mbrojtjes ishin të zakonshmit Aleksi e Ramadani, me këtë të fundit që bënte edhe rolin e përkthyesit herë pas here. Serbi Milosavljev ishte vendosur në të djathtë të mesfushës, ndërsa Vucaj në rolin e fantazistit. Në vend të Bregut luante Maldin Ymeraj, ndërsa në majë i zakonshmi Shkurtaj.

Në një prej aksioneve, Ymeraj merr një goditje të fortë në fytyrë, por hemorragjia në hundë nuk e pengoi të vijonte stërvitjen, teksa menjëherë mori ndihmën e mjekut Juxhin Korbeci. Vendosja taktike në fushë dhe dublimi i njëritjetrit ishte kryefjala e testit të djeshëm. Dukshëm Kostiç shihej i prerë në punën e tij, duke kërkuar angazhim maksimal.

TOMOR SHEHU

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"