EKSKLUZIVE/ Zbulimi i Erzenit, Patrik Nonato: Në dhjetor kthehemi më të fortë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2022 | 10:30

EKSKLUZIVE/ Zbulimi i Erzenit, Patrik Nonato: Në dhjetor kthehemi më të fortë!

Patrik Nonato është zbulimi i Erzenit këtë sezon. Sulmuesi brazilian ka shënuar deri më tani katër gola, po aq sa mesfushori kroat, Amir Kahrimanoviç. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ai flet për fitoren e fundit me përmbysje ndaj Teutës, por jo vetëm. Nonato mendon se pushimi nuk vjen në momentin e duhur për shijakasit, që po kalonin një formë të mirë, por gjithsesi ai është i bindur se skuadra do të tregojë të njëjtën paraqitje edhe në dhjetor.

NONATO

Patrik, në tri ndeshjet e fundit keni shënuar tre gola radhazi. Ju lumturon ky moment që po kaloni?

Jam shumë i lumtur që kam arritur të shënoj në tri ndeshje radhazi. Kjo ndikon pozitivisht te ne sulmuesit, të jemi konsistentë dhe të ndihmojmë ekipin të marrë pikët e duhura.

Te goli i fitores u pa që festuat me një dedikim të veçantë, duke përcjellë një mesazh te kamera jashtë fushe. Mund të na e zbuloni?

Po, golin ia dedikova gruas dhe vajzës sime, që janë në Brazil. Më mungojnë shumë. Golat kohët e fundit kanë ardhur në pjesën e dytë të lojës.

Pse Erzeni ka vështirësi të shënojë në pjesën e parë?

Po, është e vërtetë që në këto tri ndeshje golat kanë ardhur në pjesën e dytë. Unë përpiqem tëshënoj gjatë gjithë kohës në lojë, por njëkohësisht duhet ta ndihmojmë ekipin edhe në fazën mbrojtëse. Gjatë pjesëve të parajemi treguar më të kujdesshëm dhe rastet më të mira për gol i kemi pasur rrjedhimisht në pjesën e dytë.

Shënoni vetëm brenda zonës kundërshtare, por jo jashtë saj. Çfarë lloj sulmuesi jeni ju, si do ta përkufizonit veten?

Unë jam një lojtar që më pëlqentë luaj më shumë brenda zonës së kundërshtarit, sesa jashtë saj. Përpiqem të pozicionohem mirë për të marrë pasin e fundit dhe për të shënuar. Jashtë zonës përpiqem të lexoj lojën dhe të sulmoj hapësirat.

Një muaj pauzë e kampionatit, për shkak të Kupës së Botës. Si do të ndikojë te ju?

Do të na penalizojë pak ky pushim, por jam i bindur që do të rikthehemi edhe më të fortë.

Cila kombëtare mendoni se do ta fitojë Kupën e Botës?

Normalisht unë e përkrah fuqishëm ekipin tim kombëtar, Brazilin, dhe kam besim se mund ta fitojmë Botërorin.

RONALD FAJA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"