EKSKLUZIVE / Skënderbeu shet Jashanicën në Rusi, gjen zëvendësuesin te… Kamza

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2017 | 11:09

EKSKLUZIVE / Skënderbeu shet Jashanicën në Rusi, gjen zëvendësuesin te… Kamza

E kryer, Bajram Jashanica do të vijojë karrierën në kampionatin rus dhe gjasat janë që klubi i tij i ri do të jetë Akhmat Grozni. Burime të sigurta të “Panorama Sport” pranë klubit korçar treguan dje se drejtuesit e Skënderbeut kanë pranuar ofertën e ardhur për mbrojtësin dhe janë gati ta lënë të lirë në janar.

jashanica

Ajo që Skënderbeu po mundohet të mbajë të fshehtë është emri i klubit që ka bërë marrëveshje paraprake, por gazeta mëson se është e sigurtë që e ardhmja e mbrojtësit të Kombëtares së Kosovës është Rusia. Lidhjet e menaxherëve që bashkëpunojnë me Skënderbeun janë më shumë me klube si Anzhi dhe Akhmat Grozni.

Te ky i fundit bëjnë pjesë Bernard Berisha, Odise Roshi dhe Bekim Balaj. Të njëjtat burime i treguan gazetës se rusët i kanë bërë një ofertë të shkëlqyer Skënderbeut, që mendohet se është 400 mijë dollarë. Edhe vetë Jashanica në daljet e fundit ka pranuar se në janar do të largohet nga Skënderbeu.

Tashmë pritet vetëm zyrtarizimi i transferimit, me 27-vjeçarin që po kalon një formë të shkëlqyer. Jashanica luan sezonin e tij të katërt në Korçë, ndërsa ka debutuar në kampionatin shqiptar me Besën e Kavajës në vitin 2013.

ZËVENDËSUESI

Te Skënderbeu nuk ia lënë rastësisë, por mendojnë që tani se kush do të jetë zëvendësuesi ideal i Jashanicës për pjesën e mbetur të sezonit. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se një tjetër kroat pritet t’u bashkohet bardhekuqve në janar. Bëhet fjalë për Ivan Fushtar, 28-vjeçarin që këtë sezon luan me Kamzën. Qendërmbrojtësi ka një eksperiencë të madhe në Superligën kroate, ndërsa në kampionatin shqiptar ka luajtur edhe për Flamurtarin para dy sezoneve.

Fushtar ka firmosur për një vit me Kamzën dhe në janar duhet të gjendet gjuha e përbashkët mes dy klubeve, në mënyrë që kroati të transferohet te Skënderbeu. Megjithatë, koha ka treguar se sa herë korçarët kanë dashur të marrin lojtarë brenda vendit, ia kanë dalë t’i bindin. Fushtar shikohet si i duhuri për t’iu bashkuar Skënderbeut, në një kohë që mësohet se klubit korçar ia ka sugjeruar Marko Radas. Gjithsesi, duhet pritur fundi i vitit për të parë lëvizjet konkrete.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"