EKSKLUZIVE/ Shënoi golin e fitores në Moldavi, ish-kapiteni Vata: Më “bekoi’ Bledar Kola, aty e morëm vesh për triumfin e parë jashtë… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2023 | 14:10

EKSKLUZIVE/ Shënoi golin e fitores në Moldavi, ish-kapiteni Vata: Më “bekoi’ Bledar Kola, aty e morëm vesh për triumfin e parë jashtë… (E PLOTË)

Sokol Kushta dhe Arian Bellai shënuan dy golat e parë në transfertën moldave më 1995. Por, goli me të cilin u vendos fitorja e parë jashtë fushe, u shënua nga Rudi Vata. VATA

Kur rezultati ishte 2-2, Shqipëria fiton një goditje dënimi dhe Bledar Kola që i merrte përsipër ia jep topin Vatës: “Bjeri Rud, godite ti”, tregon Rudi Vata 28 vite më vonë në një intervistë për “Panorama Sport”. Ish-kapiteni kuqezi ka edhe një koment për ndeshjen e sotme, ku mendon se të gjithë lojtarët e kanë mundësinë që të bëjnë diferencën, por sipas tij atë do ta zgjidhë lideri Berat Gjimshiti.

Çfarë kujtoni nga suksesi 3-2 në Moldavi, kanë kaluar 28 vite?

Me aq sa kujtoj, mendoj se ka qenë një ndeshje që në atë periudhë, Neptun Bajko ishte trajner. Kujtoj që Sokol Kushta në një situatë, gjatë dëmtimit të Salvador Kaçajt, dhe aty erdhi doktori i Kombëtares Lluka Heqimi… Një situatë humoristike, le ta tregojmë. Kaçaj ishte i shtrirë nga goditja që mori mbrapa kokës dhe kur vjen doktor Lluka, Salvadori po i thoshte: “Doktor, nuk shikoj, nuk shikoj”. Si duket po i merreshin disi mendtë sepse ishte goditur në kokë. Unë i afrohem dhe e pyes çfarë ke. “Nuk shikoj, nuk shikoj”, sërish Kaçaj. Sokol Kushta, me atë theksin vlonjat tipik i kthehet dhe i thotë: “Po hapi sytë o budalla nëse do të shikosh…” Ishte një fragment, që ne po mbronim rezultatin sepse ishim 3-2.

Shënuat golin që i dha fitoren skuadrës…

Mbaj mend që ishte një goditje dënimi dhe kisha shumë besim. Kisha shënuar më duket kundër Gllasgou Rejnxhërsit në Skoci nga goditja e dënimit dhe kisha marrë një besim. Bledar Kola, që ishte lojtari, i cili merrte përsipër goditjet e dënimit sepse ishte lojtari më teknik në skuadër, e sheh që isha me besim dhe më thotë: ‘Bjeri Rud, godite ti’. Normalisht kjo fryma e komunikimit, toleranca, sepse aty unë i mora pak edhe autoritetin Bledarit, sepse ai ishte më i specializuari për këto goditje. Qëlloi me vend. Unë kisha besim që të paktën do të godisja katërkëndëshin e portës dhe me pak fat përfundoi në rrjetë.

Ishte fitorja e parë jashtë fushe, si u prit?

Aty e morëm vesh që Shqipëria nuk kishte fituar asnjëherë jashtë fushës për më shumë se 40 vite. Kishte një lloj ndjesie të veçantë sepse normalisht në atë kohë ne ishin një vend që kishim shumë probleme, vuajtje, sakrifica nga njerëzit. Për mua dhe për ekipin kombëtar ka qenë një moment i lumtur. Ç’mund të them më tepër. Futbolli është i tillë, që të gëzon shumë, por edhe të hidhëron shumë. Një zanat që nuk mundesh asnjëherë të jesh shumë i gëzuar, por në të njëjtën kohë nuk mund të rrish shumë i mërzitur. Situatat ndryshojnë shumë shpejt. Thjesht duhet të jesh gati për betejën e radhës.

Këtë herë shkojmë në Moldavi në një situatë tjetër dhe duke kërkuar një kualifikim për në Europian, si e sheh Rudi Vata ndeshjen e sotme?

Tani shkojmë në Moldavi me një Kombëtare krejt ndryshe, me një personalitet tjetër. Shkojmë me disa futbollistë që janë integruar mirë në ligat më të mira europiane. Kemi futbollistë që janë rritur me mentalitet shumë profesional dhe normalisht edhe përgjegjësia është më e madhe sesa ka qenë në kohën tonë. Kapacitetet i kemi për të bërë një ndeshje që do të na çojë drejt rezultatit pozitiv. Mendoj që qëllimi kryesor duhet të jetë fitorja, por edhe ajo duhet të arritur në bazë të një plani dhe në bazë të zbatimit të detyrave.

Nga çfarë duhet të ketë kujdes Kombëtarja në këtë përballje?

Presionin më të madh në fakt e kemi ne. Jemi skuadra surprizë e grupit dhe mendoj se futbollistët janë rritur shumë në aspektin e vetëbesimit. Sigurisht që edhe moldavët janë një kombëtare që kërkojnë të surprizojnë dhe për ta nuk mund të ketë ndeshje më të rëndësishme sesa kjo. E shohin si arritje dhe do të jenë agresivë, e ka thënë edhe trajneri i tyre. Edhe ne kemi lojtarë që do t’u përgjigjemi me agresivitet.

Duke qenë se dolët te lojtarët, kush mendoni se do të vendosë ndeshjen?

Ne kemi parë gola spektakolarë në këto kualifikuese. Nga Asllani, Bajrami, Asani. Gjithçka mund të ndodhë edhe me këta. Por edhe moldavët jam i sigurtë që e kanë analizuar mënyrën se si e godet Asani portën, e kanë analizuar mënyrën se si ai hyn nga brenda me këmbën e tij të preferuar dhe sigurisht që do t’i marrin masat. Po ashtu edhe Asani do të tentojë të njëjtën gjë nëse gjen hapësirat e duhura, do ta tentojë portën sepse i ka cilësitë. Rëndësi ka që grupi të funksionojë mirë dhe pse jo edhe golin ta bëjë edhe Gjimshiti, një lider absolut i ekipit kombëtar dhe ka cilësi fizike dhe staturën e mjaftueshme për të bërë diçka spektakolare. Mendoj se çdo lojtar i Kombëtares ka kapacitete për të bërë diferencën kundër Moldavisë.

8822

KRISTI SEJATLLARI -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"