EKSKLUZIVE/ Partizani ndjek brazilianët e Flamurtarit, reagon Idrizi: Kemi bërë… ekip

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2022 | 14:45

EKSKLUZIVE/ Partizani ndjek brazilianët e Flamurtarit, reagon Idrizi: Kemi bërë… ekip

Partizani është vënë në “ndjekje” të bra zilianëve të Flamurtarit. Ky fakt nuk e shqetëson Sinan Idrizin, përkundrazi. Administratori thekson se kjo është dëshmia më e mirë që kanë bërë merkaton e duhur dhe mbi të gjitha janë bërë ekip. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, kreu i klubit vlerëson ecurinë e deritanishme të ekipit dhe flet për kundërshtarët. Përzgjedh si rivalë Luzin, të vetmit që i kanë shkaktuar humbje deri në këtë fazë të kampionatit. U ndal edhe te çështja “Moçka”, të cilën vazhdon ta ketë të paqartë.

SINAN IDRIZI

Flamurtari ruan kreun. Është Idrizi i kënaqur me ecurinë?

Ecuria është e mirë, por uroj “mos i hamë me sy”… Them se nuk ka ku të shkojë më mirë se kaq. Jam i kënaqur, por punë akoma. Mendoj se ka gjëra ku duhet ndërhyrje. Por se ku duhet dhe se si, prisni dhe shikoni.

Jeni i kënaqur me barazimin në Korçë?

Si shkoi loja, barazimi është pozitiv. Korça është një fushë civile, ka njerëz të edukuar. Ishte një ndeshje me shumë nostalgji dhe “aromë” Superioreje. Ishallah nuk na mungon kjo gjë vitin që vjen.

Në Korçë ishin edhe trajneri dhe drejtori i Partizanit. Duket se vëmendja e tyre është te brazilianët të Flamurtarit. Keni një koment?

Kishin ardhur për t’i parë… edhe? Kjo tregon se përfundimisht jemi bërë ekip që na vëzhgojnë të tjerët.

Cilët shikoni si rivalë të këtij Flamurtari?

Them se të gjithë janë rivalët tanë. Por ekipi që ne simpatizojmë më shumë është Luzi. Ata na kanë rrahur dhe mendoj se i kemi rivalë. Ditët e fundit ka lindur një çështje.

Mund të na sqaroni diçka më shumë rreth problematikës me Moçkën?

Unë nuk kam asnjë informacion për Moçkën. Nuk di çfarë të them. Njeriu edhe nëse do të ikë, mund ta bëjë këtë gjë në mënyrë civile. Unë jam i habitur se të gjithë lojtarëve klubi u ka plotësuar çdo kërkesë dhe kusht. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm i Flamurtarit, është vlonjat dhe nuk mund që të ikte kështu dhe të linte ekipin.

Jeni takuar me Moçkën?

Jo, nuk e kam takuar. Nuk e di ku është, sepse patjetër që do të uleshim. Por do të doja shumë ta takoja.

Ju thatë në reagimin e parë për gazetën, se bëhet fjalë për një çështje ligjore. Dini më tepër?

Nuk e di se çfarë çështjeje mund të kenë pasur. Më thanë që kishte një çështje të tillë, por se çfarë unë nuk e di. Mos ka ndonjë çështje pronash… Më kuptoni, nuk kam informacion, thjesht dëgjova se kishte një problem. Ore, njerëz të gjallë jemi dhe halle do të kemi. Por, hajde t’i diskutojmë. Të më thoshte se çfarë kishte, por jo të ikte kështu.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"