EKSKLUZIVE/ Papa largohet nga Lushnja, firmos te Botosani për 30 mijë euro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2018 | 14:36

EKSKLUZIVE/ Papa largohet nga Lushnja, firmos te Botosani për 30 mijë euro

Lushnja nuk do të ketë sezonin e ardhshëm shërbimet e mesfushorit Enriko Papa. Me përfundimin e sezonit, ky i fundit doli lojtar i lirë dhe ishte në kërkim të një tjetër skuadre, ndërkohë që ofertat nuk kanë munguar si nga Kategoria e Parë, ashtu edhe nga ajo Superiore. Por, 25-vjeçari i lindur në Kuçovë ka vendosur të provojë një aventurë jashtë vendit. Mësohet se lojtari ka firmosur ditët e fundit një kontratë në Rumani, ku do të luajë te skuadra e Botosanit dhe do përfitojë 30 mijë euro.

papa1

Ai do të jetë për një vit pjesë e ekipit dhe në rast se arrin të lërë shenjë, mund të rinovojë kontratën edhe për një tjetër sezon. Papa ka një eksperiencë të gjatë në vendin tonë, pasi ka luajtur me disa skuadra, si Tomori, Teuta, Apolonia, Bylisi apo edhe Tirana.

Skuadra – Lushnjarët janë në ditët e fundit të pushimeve. Nën drejtimin e trajnerit Ilir Gjyla, skuadra verdhejeshile pritet të grumbullohet ditën e hënë në datën 2 korrik. Pritet që skuadra të zbresë në fushë për të filluar parapërgatitjet. Në skuadër priten shumë ndryshime, teksa pothuajse të gjithë lojtarët “jabanxhinj” kanë deklaruar largimin. Ndërsa, klubi do të fokusohet te lojtarët lushnjarë që mbyllën sezonin si dhe te të tjerët që luajnë në skuadra të tjera. Futbolli lushnjar është në vështirësi, pasi administrohet vetëm nga Bashkia.

Enriko Papa

Drejtuesit e njësisë vendore kanë vënë objektiv rikthimin e skuadrës në elitë, por një gjë e tillë do të jetë shumë e vështirë. Skuadrës i mungon sponsori dhe problemet në infrastrukturë të trashëguara prej shumë vitesh kanë mbetur të pazgjidhura. Skuadra do të luajë në Grupin B me praninë e disa skuadrave me traditë dhe konkurrenca pritet të jetë e lartë. Megjithatë, në vijim pritet të ketë edhe përforcime nga merkato me lojtarë cilësorë, por të gjithë lëvizjet që do të bëhen do të jenë të mirëstudiuara nga ana e stafit teknik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"