EKSKLUZIVE/ Oferta nga Hungaria dhe Shkëndija e Tetovës, dy futbollistët e Laçit në prag largimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 3, 2022 | 14:48

EKSKLUZIVE/ Oferta nga Hungaria dhe Shkëndija e Tetovës, dy futbollistët e Laçit në prag largimi

Laçi është një nga skuadrat më të kompletuara në këtë sezon, por duket se në verë drejtuesit do të duhet të punojnë shumë për të minimizuar largimet dhe për të plotësuar boshllëqet e atyre që kanë oferta më të mira.

GUINDO 2

“Panorama Sport” mëson se Saliu Guindo, autor i 14 golave në këtë sezon me bardhezinjtë dhe “pyka” në efikase në Superiore, mund të lërë Laçin në verë.

Për sulmuesin nga Mali ka një ofertë të mirë nga Hungaria, teksa ende nuk bëhet i ditur klubi, që mund të marrë shërbimet e 25-vjeçarit, i cili pas shkëlqimit me Laçin, debutoi edhe me kombëtaren e tij.

Gjithashtu, Shkëndija është e interesuar për një nga gardianët e kurbinasve. Alen Sherri e humbi duelin me Dajsinanin në këtë sezon dhe e kaloi shumicën e kohës në stol.

Sherri hero

Në verë shkodranit i përfundon kontrata dhe pritet të largohet. Shkëndija është klubi më i interesuar për të.

Në Tetovë pritet edhe Bekim Rexhepi, aktualisht i huazuar te Skënderbeu, por Sherri është një nga portierët e pëlqyer nga drejtuesit.

Ka pasur kontakte fillestare mes palëve, por në verë pritet të ketë zhvillime konkrete.

I vetmi fakt, që e vë Shkëndijën në mendime është se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut konsiderohen të huaj dhe një nga tetë federimet e lejuara, në këtë rast do ta bllokonte porta.

“EROZION” TE LAÇI – Largimet e mundshme të Guindos dhe Sherrit nuk janë të vetmet për Laçin, pasi edhe tre titullarë janë me valixhe në duar.

Shehun e duan Partizani e Tirana, teksa Deliu ka parakontratë me një klub në Letoni.

Nga ana tjetër Mazrekaj ka marrë një ofertë nga Flamurtari, që sezonin e ardhshëm do të luajë në Kategorinë e Parë, me synimin për rikthimin në elitën e futbollit tonë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"