EKSKLUZIVE/ “Nuk kam ikur kurrë me hatërmbetje”, Mërgjyshi merr ‘timonin’: E ngjis unë Apoloninë, por çfarë nevojitet…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2024 | 10:56

EKSKLUZIVE/ “Nuk kam ikur kurrë me hatërmbetje”, Mërgjyshi merr ‘timonin’: E ngjis unë Apoloninë, por çfarë nevojitet…

Apolonia zgjidh çështjen e stolit. 18 ditë pas dorëheqjes së papritur të Jeraj Rodrigesit, vjen zëvendësuesi. Klubi ka menduar që drejtimin t’ia besojë një ish-i. Do të jetë Artan Mërgjyshi, trajneri i fierakëve për pjesën e dytë të sezonit.

MixCollage-16-Jan-2024-10-53-AM-7931

Ai kthehet në Fier pas 3 vitesh, kohë kur edhe e ngjiti ekipin në elitën e futbollit shqiptar. Ishte drejtori Kir Doshi që ka prezantuar atë para ekipit, në mungesë të presidentit Koço Kokëdhima (që gjendet ende jashtë vendit). Procedurë që zgjati 15 minuta dhe tekniku direkt nisi nga puna. Fiks në orën 12:00 doli në fushë dhe kreu të parën seancë stërvitore. Në urdhra kishte vetëm 18 lojtarë, pasi një pjesë mungonin. Ambientimi për 55-vjeçarin nuk do të jetë problem, pasi kjo është e treta herë që merr këtë rol te bardhejeshilët. Vjen me mision të qartë, të kapë “Abissnet Superioren”. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, këtë nuk ngurron që ta thotë me zë të lartë objektivin që i ka vënë vetes.

Pas tri vitesh riktheni tek Apolonia. Si ndiheni?

Ndihem shumë mirë, për më tepër që në Fier i njoh dhe më njohin të gjithë, nga stafi drejtues, lojtarët e deri te sportdashësit. Mund të them që ndihem edhe si në shtëpinë time, pasi është hera e tretë që e drejtoj Apoloninë. Kam bërë mirë në sezonet 2015-2016 dhe 2019-2020, ndaj uroj të kemi të njëjtin sukses. E lehtë nuk do të jetë, por në futboll kurrë nuk thuash kurrë…

Pse e rizgjodhët për herë të tretë Apoloninë?

Të tregohem i sinqertë, e njoh shumë mirë ambientin dhe kushtet që do të punojë, të cilat janë të duhurat për mendimin tim. Apolonia ka qenë gjithmonë si një derë e hapur për mua. Nuk e kam ndier asnjëherë veten larg saj dhe as nuk e kam çuar në mendje që rrugët tona nuk do të bashkoheshin më.

Kjo do të thotë që nuk jeni larguar kurrë me hatërmbetje…?

I kam ruajtur marrëdhëniet e mira me drejtuesit. Kur është mbyllur diçka, është mbyllur si duhet dhe pa hatërmbetje.

Çfarë ju bindi më shumë në këtë rikthim?

Për sa kohë njoh mirë ambientin dhe lojtarët… Kaq mjafton për të qenë i bindur. Jam i kënaqur me zgjedhjen e bërë. Pjesën dërrmuese të lojtarëve i kam stërvitur vet, duke nisur nga mbrojtësi Asllanaj, mesfushori Topi, por edhe sulmuesit Kaçanolli e Trifoni kur kanë qenë pjesë e të rinjve. Gjithashtu njoh shumë mirë mesfushorin Orelesi, kur të dy kemi qenë pjesë e Dinamos.

Zhvilluat edhe seancën e parë, me vetëm 18 futbollistë. Si e vlerësoni grupin?

Grupi i lojtarëve është kompakt dhe mbi të gjitha shumë cilësor. Organika nuk është edhe aq e plotë, mund të na duhen disa përforcime por gjithçka në kohën e duhur. Mua më duhet ende kohë të analizoj dhe në fund të shikoj pikat e dobëta. Vlerësoj grupin aktual. Pashë shumë të rinj të talentuar, vendas dhe të huaj.

Apolonia është aktualisht në vendin e 5-të, cili do të jetë objektivi juaj?

Objektivi im do të jetë maksimumi në çdo ndeshje, sado që jemi në gjysmën e sezonit dhe për pak ditë hyjmë në fazën e ndeshjeve më të vështira. Dihet edhe qëllimi që klubi ka, është Superiorja.

Si mund ta arrijë Apolonia ngjitjen?

Mund ta sigurojmë edhe përmes fazës “play off”. Në një mënyrë a tjetër, do të provojmë gjithçka për gjithçka. Për sa kohë na e lejon matematika, ne do tentojmë.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"