EKSKLUZIVE/ Mazrekaj: Partizani s’e ka lojtarin që zgjidh ndeshjet, ja skuadrat që shkojnë në “Final 4” (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2024 | 21:58

EKSKLUZIVE/ Mazrekaj: Partizani s’e ka lojtarin që zgjidh ndeshjet, ja skuadrat që shkojnë në “Final 4” (E PLOTË)

Magjitë e Mentor Mazrekajt të gjithë i mbajnë mend, teksa në këtë sezon lojën e tij po e shijojnë tifozët e Strugës në futbollin e Maqedonisë së Veriut.

vdgg

Edhe pse 35 vjeç, ai ende ka klas për të luajtur në nivele të larta dhe për të ndihmuar Strugën të jetë në rrugën drejt titullit të dytë radhazi kampion. Në një intervistë për “Panorama Sport” Mazrekaj nuk e mohon një rikthim të mundshëm në Superiore, teksa analizon edhe ecurinë me luhatje të Partizanit. Sipas tij, të kuqve u mungojnë individualitetet që dinë të zgjidhin ndeshjet.

Mentor, si po ju shkon aventura te Struga? Sa të kënaqur jeni me ecurinë e deritanishme?

Ky sezon ka qenë fantastik për Strugën. Kemi arritur deri në “play off” të Ligës së Konferencës dhe gjatë gjithë sezonit kemi ruajtur kreun e kampionatit maqedonas. Do të bëjmë maksimumin që të shpallemi sërish kampionë. Shpresoj që t’ia dalim!

Cila do të jetë e ardhmja juaj në fund të sezonit? E planifikoni një rikthim të mundshëm në Kategorinë Superiore?

Për momentin jam plotësisht i fokusuar që të shpallem kampion me Strugën. Nuk po punoj, as po mendoj në lidhje me të ardhmen. Pas fundit të sezonit do të marr në konsideratë të gjitha ofertat që do të më vijnë, qofshin ato edhe nga Kategoria Superiore, për një rikthim të mundshëm.

E keni ndjekur ndopak Partizanin? Çfarë mendoni se nuk shkoi në ndeshjen kundër Egnatias?

E kam ndjekur me sa mundësi kam pasur. Sfidën me Egnatian nuk e pashë direkt, sepse në atë orë kisha vetë ndeshje me Strugën. Kam ndjekur rastet e ritransmetuara dhe atë çfarë është shkruar dhe analizuar në media. Mendoj se Partizani i këtij sezoni nuk ka lojtarë me fantazi, që të zgjidhin ndeshjen.

Mendoni se kjo përballje tregoi forcën e dy ekipeve, apo në “Final 4” do të jetë tjetër histori?

Jo, pres diçka ndryshe. Mendoj se “Final 4” do të sjellë ndeshje ndryshe nga këto që janë zhvilluar deri më tani gjatë sezonit të rregullt. Kam përshtypjen se skuadrat me traditë do të jenë në një tjetër nivel.

Partizani ka hyrë edhe në rrezikun e “Final 4” dhe në derbin me Dinamon luan thuajse gjithçka. Si e prisni deri në fund?

Partizani nuk e rrezikon pjesëmarrjen në “Final 4”. Kalendari i ndeshjeve në vijim është më i lehtë për skuadrën. Tri ndeshjet e fundit e favorizojnë shumë Partizanin, që të sigurojë pjesëmarrjen në “Final 4”, madje të provojë edhe të zërë vendin e dytë.

Përse mendoni se nuk po i ecën si duhet Shehit te Partizani?

Në momentin që Shehi mbërriti te Partizani si trajner i kësaj skuadre nuk e gjeti kontingjentin të plotë, pasi disa lojtarë ishin të dëmtuar, pra jo të gatshëm për ndeshje. Ndërsa tani që kontingjenti

Në situatën aktuale, cilat mendoni se janë skuadrat që do të shkojnë në “Final 4”? Do të ishte humbje e rëndësishme nëse Tirana nuk kualifikohet?

I qëndroj asaj që kam thënë edhe para dy muajsh. Egnatia, Vllaznia, Partizani dhe Tirana do të shkojnë në “Final 4” për të diskutuar titullin kampion. Në finalen e madhe pres një derbi kryeqytetas, që do t’u dhurojë tifozëve ndeshje plot rivalitet dhe një lojë sa më të bukur. Sa i përket Tiranës, siç e thashë, mendoj se do të luajë në “Final 4”. Nëse nuk ndodh do të ishte dëm i madh për vetë përbërjen që ajo skuadër ka.

Cilat skuadra mendoni se do të duhet të kthehen në Kategorinë e Parë?

Mendoj se Kukësi dhe Erzeni do të kthehen në Kategorinë e Parë. Ndërsa në “play out” mendoj se do të luajë Skënderbeu.

A ka pësuar rënie futbolli ynë në këtë sezon? Si ju duket ajo që skuadrat shfaqin në fushë?

Është e vërtetë që ka pasur një nivel në ulje, veçanërisht në dy sezonet e fundit. Ka një rënie të dukshme. Për këtë ndikon konkurrenca financiare e kampionateve të tjera dhe fakti që skuadrat bëjnë shumë ndryshime në çdo merkato.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"