EKSKLUZIVE/ Kthimi i Edi Martinit në timonin e Teutës: Nuk mund t’ia prishja presidentit!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 16, 2021 | 0:40

EKSKLUZIVE/ Kthimi i Edi Martinit në timonin e Teutës: Nuk mund t’ia prishja presidentit!

Edi Martini rikthehet si trajner i Teutës, ndërsa Renato Arapi në rolin e drejtorit sportiv. Ndryshimi i papritur te kampionët ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, teksa “Panorama Sport” ka publikuar ekskluzivisht në faqen e saj zyrtare, “PanoramaSport.al”, vendimin e presidentit Edmond Hasanbelliu.

EDI MARTINI

Martini dha dorëheqjen më 26 nëntor pas humbjes me Partizanin, por tashmë bën prapakthehu për të vijuar në krye të skuadrës ku fitoi titullin kampion, Kupën e Shqipërisë dhe dy herë Superkupën. Vetë 46- vjeçari shkodran, në intervistën ekskluzive për gazetën, tregoi arsyen pse vendosi të kthehej pas 17 ditësh në Durrës. Ai flet edhe për objektivat që ka në vazhdimësinë e sezonit me Teutën, ndërsa ka vetëm komplimente për Renato Arapin.

Edi Martini

Martini, sërish te Teuta. Kur e morët vendimin që të riktheheni në Durrës pas vetëm dy javësh larg Teutës?
Sot (dje) kam pasur një takim në Durrës me presidentin Hasanbelliu. Më ka thirrur për të zhvilluar një bisedë dhe nuk e kam pasur idenë se do të më kërkonte për t’u rikthyer si trajner i Teutës. Lidhjet e mia me presidentin janë përtej sportit, sepse kam 25 vite që njihem me të. Edhe kur nuk kam qenë trajner në Durrës, kam kaluar shumë kohë me të. Është, si të themi, përtej mikut për mua.

Çfarë ju bindi që të pranoni drejtimin e ekipit kur keni shumë pak ditë që dhatë dorëheqjen?
E thjeshtë, sepse nuk mund t’ia prishja presidentit.

Tani që do të merrni drejtimin, çfarë plani keni?
Kismet Zotit. Të bëjmë punën që kemi bërë gjithmonë, me pasion, me ambicie dhe dëshirë. Të shohim pastaj nga ndeshja në ndeshje. E rëndësishme është që duhet të kapim formën që kemi pasur në sezonin e kaluar.

Çfarë ndryshoi gjatë këtyre dy javëve te Teuta?
Pak a shumë ka qenë e njëjta situatë. Me thënë të drejtën, kanë marrë rezultate pozitive, një fitore dhe dy barazime. Janë paraqitur shumë mirë, kanë qenë të kujdesshëm, duke pësuar pak gola, që është më e rëndësishmja në këtë moment.

A e nxirrni dot sërish Teutën kampion, përderisa po ju rikthejnë për të përsëritur të njëjtën gjë si kampionati i fundit?
Zotit lart t’ia bënim këtë pyetje, zor se do të na kthente përgjigje (qesh). Por, mund të them që ka kohë, kemi disa muaj dhe Tirana aktualisht është 9 pikë larg. Janë edhe shumë, edhe pak. Por, duhet të shohim nga ndeshja në ndeshje. Eksperiencat na kanë treguar që s’janë as shumë dhe as pak, krahasuar me kampionatin e vjetshëm.

Si ju është dukur Renato Arapi si trajner në tri ndeshjet që nuk keni qenë vetë?
Renato është një djalë me karakter, me një vullnet dhe dëshirë të madhe. E kam ndjekur shumë mirë.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"