EKSKLUZIVE/ “Konfirmoj stafin, kthehemi seriozë në Superiore”, presidenti Bardhi: Dinamon nuk e dua “nëndetëse” (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2023 | 19:46

EKSKLUZIVE/ “Konfirmoj stafin, kthehemi seriozë në Superiore”, presidenti Bardhi: Dinamon nuk e dua “nëndetëse” (E PLOTË)

Dinamo u rikthye matematikisht në elitë. Krahasuar me dy vjet më parë, këtë herë vjen shumë më ndryshe. Tashmë nuk i duhet ta fillojë çdo gjë nga zeroja. Blutë kanë marrë disa leksione sportive dhe organizative. Jo vetëm kanë hedhur disa baza për skuadrën e Superiores, por mbi të gjitha kanë shtëpinë e tyre të re. 

bardhi adrian

Presidenti Adrian Bardhi është sigurisht entuziast për ngjitjen e shpejtë, por nuk i ka harruar ende vështirësitë që ka kaluar. Në një rrëfim për për “Panorama Sport”, ai flet për shenjat që la e shkuara dhe atë çfarë synon të bëjë në vazhdim me 18 herë kampionët e vendit. Ai pranon gjithashtu se pjesa më e sikletshme nis tani, pasi “nëndetësja” ka dalë në “det të hapur”.

Z.Bardhi, Dinamo rikthehet në Superiore pas një kampionati jo pak të vështirë. Si ndiheni tani?
Patjetër që jam i kënaqur për rikthimin e shpejtë në Superiore. Ramë një vit më parë, ja ku jemi sërish në elitën e futbollit shqiptar. Të jem i sinqertë, e kisha shumë të vështirë ta pranoja rënien e Dinamos në Kategorinë e Parë. Nuk e përtypja dot, por tani e rëndësishme është që jemi përsëri këtu. Ka qenë një garë shumë e vështirë, më e vështirë nga sa mund të pritej.

Ku qëndronin konkretisht këto vështirësi?
Vështirësitë ishin në garë, në çdo ndeshje. Kategoria e Parë ka specifikën e saj, por mbi të gjitha ka shumë rivalitet. Nuk është fare e thjeshtë, edhe pse mund të investosh. Ky kampionat ka klube lidere, ka skuadra që kanë bërë emër në futbollin shqiptar. Përveç Dinamos dhe Skënderbeut, që u kthyen në elitë, ishin edhe Flamurtari, Besa, Apolonia, Tomori e me radhë. Janë të gjitha skuadra që ta bëjnë objektivin shumë të vështirë. Patëm disa momente të vështira, por ndërhymë në kohën e duhur dhe po ashtu patëm edhe fat që arritëm të kthehemi në Superiore dy javë para mbylljes së kampionatit. Jemi ende në garë për titullin kampion.

Çfarë keni parasysh me “ndërhyrje në kohën e duhur”?
Po, dua të them se ndërhymë në një moment, që Dinamo kishte filluar të rrëshqiste. Dhe ky moment ishte pas ndeshjes me Tomorin, ku ne u mundëm në fushën tonë dhe e komplikuam situatën. Në atë moment ndërhymë, edhe unë personalisht kam qenë më afër skuadrës gjatë kësaj kohe.

Po fati i Dinamos, president, ky ishte?
Fati ynë ishte që në disa momente të vështira tonat gabuan edhe rivalët, duke na dhënë mundësinë të rikuperojmë pikët që kishim humbur gjatë rrugës dhe të ngjitemi në Superiore. Kështu ndodhi edhe javën e fundit, ku humbja e Flamurtarit na garantoi matematikisht ngjitjen. Gjithsesi, ishte një eksperiencë e bukur dhe e vlefshme.

Paralelisht me ngjitjen në elitë, ju kishit si objektiv edhe rritjen e lojtarëve të rinj në moshë. Sa u arrit ky objektiv i dytë, nëse mund ta quajmë kështu?
Edhe ky objektiv është arritur dhe për këtë jam realisht shumë i kënaqur. Dinamo ka pasur mundësinë të aktivizojë lojtarë të rinj në moshë, që nesër do të jenë e ardhmja e saj, apo që mund të evidentohen dhe të transferohen në kampionate të huaja. Të mos harrojmë se kemi rastin e Simon Simonit. Edhe pse ai ra në sy që një vit më parë, u shit nga Dinamo në Gjermani këtë sezon, në Kategorinë e Parë. Dhe kjo ishte një ndihmë e madhe për klubin. Shpresojmë që në këtë rrugë të jenë edhe lojtarë të tjerë të rinj, ky do të jetë gjithmonë një objektiv i Dinamos.

Ndoshta është ende herët, pasi kampionati nuk ka përfunduar, por a mund ta quajmë të konfirmuar dyshen Mehmeti-Pinari në stol?
Po, patjetër që po. Stafi teknik është i konfirmuar për sezonin e ri. Objektivi u arrit dhe ne tani kemi shumë punë për të bërë, por kemi në dispozicion gjithë kohën e nevojshme për t’i bërë gjërat me qetësi. E dimë që pjesa më e vështirë vjen pikërisht tani. Do të ulemi dhe do të bisedojmë me stafin teknik këto ditë për atë çfarë duhet të bëjmë. Kemi ende shanse për titullin dhe do të provojmë ta fitojmë.

Gjatë sezonit 2021-2022, kur ishit në Superiore, keni marrë edhe disa mësime, që mund t’ju shërbejnë këtë herë apo jo?
Është e vërtetë, ai sezon, por edhe ky i sivjetshmi, na kanë shërbyer shumë për të kuptuar më mirë disa gjëra. Kjo do të thotë se nuk na falet të përsërisim të njëjtat gabime. Unë mund të them se Dinamo do të ketë një organizim ndryshe për sezonin tjetër, që nga aspekti sportiv, ashtu edhe ai administrativ. Struktura e re e klubit tonë do të jetë e plotë, çdo sektor do të jetë i mbuluar si duhet, me njerëz profesionistë, që të gjithë bashkë do të punojnë për t’i kthyer lavdinë Dinamos. Por çdo gjë do të bëhet hap pas hapi.

Ka marrë formë tashmë edhe shtëpia e re e Dinamos, selia e re e klubit në Arbanë…
Për mua kjo është edhe fitorja më e madhe, trofeu më i madh. Ne tashmë kemi shtëpinë tonë, jo si dy vjet më parë, kur nuk dihej ku ishim. Kemi fushat tona, hotelin tonë, mensën, sallën e forcës e kështu me radhë. Dinamo do të kompletohet si një klub modern, me të gjitha pjesët e nevojshme. Edhe me akademinë e saj, që është shumë e rëndësishme, por këto gjëra le t’ia lëmë kohës. Dinamo ka “nëndetësen” si simbolin e saj, por unë do të thosha që më mirë ta bëjmë një anije të bukur, që të lundrojë e qetë dhe e sigurt në det.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"