EKSKLUZIVE/ Flamurtari gati të padisë Rrapajn, klubi e akuzon për mashtrim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2020 | 15:52

EKSKLUZIVE/ Flamurtari gati të padisë Rrapajn, klubi e akuzon për mashtrim

Arinaldo Rrapaj prej kohësh është përfolur si përforcim i mundshëm për Partizanin. Por kjo gjë i përket së shkuarës pasi duke parë që klubi i kuq e kishte lënë në harresë, duke mos vijuar bisedimet, ka bërë që mesfushori vlonjat të shikojë për një destinacion të ri, duke ditur se ka fituar edhe betejën me Flamurtarin në FSHF.
rrapaj
19-vjeçari ndodhet shumë pranë Tiranës, pasi palët kanë biseduar dhe në vijim pritet që të zyrtarizohet edhe marrëveshja mes palëve. Duke ditur se Partizani vijon të jetë i bllokuar në merkato, gjasat për t’u bashkuar me ish-trajnerin Daja erdhën duke u zvogëluar, por Rrapaj nuk do të largohet nga kryeqyteti, pasi pritet të vishet bardheblu.
Sinan-Idrizi
Flamurtari padi për mashtrim
Pas humbjes së betejës në FSHF, klubi vlonjat ka marrë disa hapa të tjerë ndaj lojtarit. Flamurtari ka hapur proces pranë Gjykatës Civile në Vlorë ndaj Arinaldo Rrapajt. Lajmi është konfirmuar për “Panorama Sport” nga burime zyrtare pranë klubit vlonjat. Më 27 gusht të këtij viti, Dhoma e Zgjidhjes se Konflikteve shpalli në FSHF të lirë lojtarin Rrapaj, pasi nëpërmjet një deklarate nënvizonte se nuk ka përfituar nga ana e punëdhënësit të tij shumën e pretenduar nga pala e paditur, që është Flamurtari, në masën 200 mijë lekë të rinj.
rrapajj
Por klubi deklaron se kjo shumë i është paguar Rrapajt më 21 dhjetor të vitit 2019, sipas mandat-pagesës Nr.91200, e cila sipas deklaratës që Rrapaj ka dhënë nuk është nënshkruar prej tij. Drejtuesit e Flamurtarit kanë marrë edhe mendimin e një eksperti të kriminalistikës për të bërë të mundur vërtetësinë e firmës që është hedhur në mandatin e pagesës. Por, klubi ka ngritur ndaj Rrapajt edhe akuzën e mashtrimit. Në ekspertizën e parë sipas burimeve nga klubi, rezulton se firma që është hedhur në dokument është e Arinaldo Rrapajt. Klubi ka mbledhur provat, deklaratën e lojtarit, firmën në të, por edhe mandat-pagesën dhe firmën që Rrapaj ka hedhur në mandat dhe e ka depozituar në gjykatë për të hapur ndaj tij një çështje civile.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"