EKSKLUZIVE/ “Flamurtari do të binjakëzohet me…”, Troisi: Në Vlorë s’jam për pushime, po ndihmoj Idrizin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 10, 2023 | 21:15

EKSKLUZIVE/ “Flamurtari do të binjakëzohet me…”, Troisi: Në Vlorë s’jam për pushime, po ndihmoj Idrizin

Marcelo Troisi ka gati projektin për binjakëzimin e Flamurtarit me një akademi në Brazil. Për këtë qëllim ish-trajneri ndodhet sërish në Vlorë, për të diskutuar detajet me presidentin Sinan Idrizi.

TROISI

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Troisi sqaron se nuk është menaxher zyrtar i Flamurtarit, por ndihmon Idrizin. Shpreson që kuqezinjtë të ngjiten në Superiore, ndërsa nuk jep ndonjë koment në lidhje me atë se si i duket ekipi i ndërtuar nga Çela. Braziliani thotë se ndihet shqiptar dhe se në Vlorë ka shume miq.

Troisi gjendeni aktualisht në Vlorë, por ishit edhe muajin e shkuar këtu. Pse këto vizita të shpeshta?

Shqipëria është shumë e dashur për mua. Unë kam jetuar dhe jetoj këtu. E njoh mentalitetin tuaj. Ndihem shumë mirë dhe kam shumë miq shqiptarë. Ju e dini që kam punuar në shumë skuadra si Laçi, Kukësi, Skënderbeu, Partizani, Turbina, Flamurtari. Jam ambientuar shumë me vendin tuaj dhe ndihem shumë mirë sa herë që vij. Jam shqiptar tashmë dhe ndihem i tillë.

Në rregull, por jeni sërish në Vlorë, çfarë ju solli kësaj here?

Është edhe sezon turistik tani dhe Vlora në verë është shumë e frekuentuar. Është një qytet i bukur, mikpritës, i mrekullueshëm. Por unë miku im, nuk kam ardhur për pushime. Jam këtu për… punë te Flamurtari. (Qesh)

Po e thoni me batutë apo ka edhe diçka të vërtetë?

Jo, është e vërtetë. Jam për një bashkëpunim të ri me Flamurtarin.

Presidenti Sinan Idrizi ka deklaruar se do të bashkëpunojë me ju lidhur me një akademi në Brazil. Për këtë po thoni?

Po, është e vërtetë. Unë vij me kënaqësi në Vlorë.

Presidentin Idrizi e kam shumë mik. Por kam edhe miq të tjerë në këtë qytet. Me Idrizin jemi duke folur për këtë bashkëpunim. Po pres që të vendosim.

Sulmuesin Estefano e sollët ju. Keni ndonjë surprizë tjetër për Flamurtarin?

Që ta sqarojmë këtë çështje… Unë nuk jam menaxher i Flamurtarit. Unë ndihmoj presidentin Idrizi. Puna ime është tjetër gjë. Estefanon e solla me kërkesën dhe dëshirën e presidentit.

Si e shikoni Flamurtarin e ri? Në fakt është shumë ndryshe nga ai që ndërtuar ju sezonin e shkuar…

Preferoj të mos jap mendimin tim për këtë që më pyesni. Nuk është puna ime të gjykoj askënd.

Mendoni se Flamurtari do të ngjitet në Superiore?

Nuk e di. Por unë do të shpresoj gjithmonë për më të mirën e Flamurtarit.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"