EKSKLUZIVE/ Egnatia godet në merkato, firmos lojtari që ka luajtur me Santosin (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2022 | 14:36

EKSKLUZIVE/ Egnatia godet në merkato, firmos lojtari që ka luajtur me Santosin (VIDEO)

Fernando Medeiros da Silva është goditja e radhës e Egnatias në merkaton e verës.

FERNANDO MEDEIROSFernando Medeiros da Silva kur luante me Santosin 6 vite më parë

“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht nga burime në klubin rrogozhinas se mesfushori qendror nga Brazili ka firmosur kontratën dhe i është prerë edhe bileta e avionit për të mbërritur më 23 korrik direkt në Ohër të Maqedonisë së Veriut, aty ku Egnatia po kryen fazën përgatitore.

Bëhet fjalë për një 26-vjeçar me shumë cilësi, që luan në qendër të mesfushës në rolin e organizatorit, por gjithashtu përpara mbrojtjes si shkatërrues.

Fernando Medeiros luan me këmbën e majtë dhe shquhet për goditjet në portë dhe asistet që jep. Ai ka eksperiencë jo vetëm në elitën e futbollit brazilian, ku dhe ka debutuar me klubin e madh Santos në sezonin 2015-2016.

Përveç Serisë A braziliane, që është niveli më i lartë në futbollin e vendit të Sambës, mesfushori ka luajtur edhe për dy sezone në Ligën e Dytë portugeze me skuadrën Portimonense.

Ndërkohë, në sezonin e fundit futbollistik, deri në mars të vitin 2022 ka qenë pjesë e skuadrës Audaks Angra në kampionatin Karioka në Brazil, ku në 12 ndeshje ka arritur të shënojë edhe dy gola.

Afrimi i Medeiros plotëson më së miri mesfushën e rrogozhinasve, duke shtuar cilësinë në zgjedhjet e trajnerit Edlir Tetova.

Në datën 23 korrik, kur dhe do të mbërrijë braziliani, skuadrës do t’i bashkohet në Ohër edhe mesfushori ganez, Majkëll Agbekpornu. Vonesa e këtij të fundit për t’iu bashkuar ekipit në fazën përgatitore ka qenë vetëm prej procedurave burokratike të vizës hyrëse për në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkohë, duket se surprizat në merkaton e rrogozhinasve nuk do të mbarojnë këtu.

MEDEIROS

Burime në klub i thanë dje gazetës se drejtuesit po punojnë që të bëjnë edhe dy goditje të tjera deri në fund të merkatos.

Përveç një qendërmbrojtësi, në ekip pritet të vijë edhe një sulmues, për të blinduar këtë repart, ku nga sezoni i kaluar janë konfirmuar Pedro dhe Delarzh, ndërsa në këtë merkato ka ardhur në repartin ofensiv lojtari nga Tuzi, Ilir Camaj.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"