EKSKLUZIVE/ Dinamo-Flamurtari, Fjodor Xhafa: Kategoria e Parë e fortë! Suksese bluve, por të hënën jam kuqezi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2022 | 13:48

EKSKLUZIVE/ Dinamo-Flamurtari, Fjodor Xhafa: Kategoria e Parë e fortë! Suksese bluve, por të hënën jam kuqezi

Fjodor Xhafa mendon se Flamurtari është në rrugë të mbarë për arritjen e objektivit. Garën e mendon të vështirë dhe të luftuar deri në fund, por rival të vetëm të vlonjatëve shikon Dinamon. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Xhafa thotë se po e bindin kuqezinjtë dhe se ekipi po rritet nga dita në ditë. Ka mbajtur veshur ngjyrat e Flamurtarit dhe Dinamos, por të hënën thotë se do të jetë vlonjat. “Duke pasur parasysh fillimin që për mua ishte i kuptueshëm, pasi lojtarët që mbajnë peshën në skuadër erdhën në momentin e fundit, mendoj se ekipi ka filluar të hyjë në logjikën e tij dhe të marrë formë. Flamurtari ka ndryshuar dhe po rritet nga dita në ditë, kështu që kam shumë besim se janë në rrugën e duhur për vazhdimësinë dhe për arritjen e objektivit, kthimin në Superiore”, e nis intervistën ish-sulmuesi.

fjodor xhafaFjodor Xhafa, ish-lojtar i Flamurtarit dhe Dinamos

Keni një koment për afrimet e reja, pjesa më e madhe e tyre lojtarë të huaj. Si po ju duken?

Me sa e kam ndjekur, sepse është luajtur dhe për Kupën e Shqipërisë dhe ndoshta ka pasur shumë lëvizje në formacion, ka lojtarë të cilët nuk kanë luajtur shumë, ana tjetër është pozitive. Ekipi ka bindur dhe ka krijuar shumë në fazën sulmuese dhe mendoj se të gjithë futbollistët kanë bërë mirë.

E shikoni një garë të fortë kampionatin e këtij viti?

Në përgjithësi, Kategoria e Parë ka qenë kampionat i fortë. Por kësaj here bëhet edhe më e vështirë, pasi rritet përgjegjshmëria, teksa në garë janë ekipe si Flamurtari, Skënderbeu, Dinamo dhe Apolonia. Secila prej tyre ka objektivat dhe ambiciet e veta.

Kë shikoni rivalë të Flamurtarit për ngjitjen në Superiore?

Të them të drejtën rival të Flamurtarit shikoj vetëm Dinamon. Mendoj kështu me sa kam parë, më shumë nga ecuria e Dinamos.

Flamurtari dhe Dinamo do të takohen të hënën. Si e shikoni takimin?

Përveç traditës dhe objektivave që dihen, të dyja ekipet e quajnë detyrë shtëpie, nuk është thjesht objektivi. Dinamo ka pasur ecuri të mirë, por edhe Flamurtari pavarësisht barazimit në Lushnjë ka ritëm të kënaqshëm. Edhe në Lushnjë krijoi shumë, por duhet të ishte më cinik përpara portës. Edhe te ndeshja e fundit me Tërbunin, që e fitoi me rezultatin 3-0, nëse do të ishte konkluduar 30% e rasteve që kishin, rezultati do të ishte edhe më i thellë. Kjo ndeshje do të tregojë forcën e dy ekipeve, por nuk do të jetë tregues për vazhdimësinë. Ka kohë ende që ekipet të tregojnë forcën, pasi rrugës ka edhe hapa fals.

Keni luajtur si me Flamurtarin ashtu edhe me Dinamon. Për kë do të bëni tifo të hënën?

Të jem i sinqertë te Dinamo është një nga momentet e rëndësishme të rrugëtimit tim sportiv dhe që ndikoi edhe në rritjen time për vazhdimësinë. Por Flamurtari është ADN-ja ime. I uroj suksese Dinamos për vazhdimësinë, por në këtë ndeshje jam vlonjat.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"