Egnatia kalon Lushnjën në Kupë. Tetova: Duam trofeun, të rregullojmë shënjestër. Magani: Mora mesazhe të mira nga ekipi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2024 | 16:54

Egnatia kalon Lushnjën në Kupë. Tetova: Duam trofeun, të rregullojmë shënjestër. Magani: Mora mesazhe të mira nga ekipi

Egnatia likuidon Lushnjën dhe vazh don rrugëtimin në Kupën e Shqipërisë. Nga një gol për çdo pjesë, i ka mjaftuar rrogozhinasve për të kapur çerekfinalet. Edlir Tetova nuk i kursye titullarët në këtë ndeshje dhe gjithçka shkoi sipas parashikimit. Verdhejeshilët e Gugash Maganit dëshironin që të bënin surprizën, por nuk ia dolën dot. Në “Arena Egnatia” mbyllën llogaritë në këtë kompeticion.

egnatia lushnja

Edlir Tetova: Synojmë trofeun, por duhet të rregullojmë shënjestrën

Edlir Tetova i kënaqet kualifikimit, por pret diçka më shumë në finalizim. Menjëherë pas ndeshjes, trajneri theksoi se skuadra duhet të jetë e saktë para portës së kundërshtarit. “E vlerësuam maksimalisht kundërshtarin, ndaj aktivizuam lojtarët më në formë. Ia dolëm të fitonin, kundër një Lushnje të mobilizuar. Krijuam shumë raste për shënim, sidomos në pjesën e parë. Duhet ta kishim mbyllur fraksionin e parë me një rezultat të thellë. Megjithatë, goli i Fernandos na dha qetësi për ta menaxhuar më mirë pjesën e dytë. Nuk e ulëm për asnjë çast ritmin, derisa shkuam te goli i Gjatës, i cili po bën mirë. Kisha besim te ky futbollist dhe i njoh cilësitë e tij. Sulmuesi po e tregon në fushë besimin tonë. Në tërësi jam i kënaqur me skuadrën, edhe pse duhet të rregullojmë shënjestrën para portës. E kam theksuar që për Egnatian objektiv është arritja deri në finale të trofeut, që kemi për detyrë ta mbrojmë si fituesit në fuqi të këtij kompeticioni”, përfundoi durrsaku i stolit të Egnatias.

Gugash Magani: Egnatia dominoi, por i mora disa mesazhe të mira

Përtej eliminimit, Gugash Magani vlerëson paraqitjen e të tijve. Gjatë deklaratës së dhënë pas ndeshjes, trajneri i Lushnjës tha: “E dinim që do të ishte e vështirë, pasi po luanim me ekipin më në formë në Shqipëri dhe fituesit në fuqi të Kupës. Egnatia dominoi dhe e meritoi kualifikimin, por unë jam i kënaqur për impenjimin e lojtarëve të mi. Nuk e kishim prioritet Kupën, për vetë objektivat që kemi si skuadër e Kategorisë së Parë. Gjithsesi, respektuam garën. Jam i kënaqur me futbollistët, me atë që prodhuan në fushë dhe se me pak kujdes mund të kishin bërë më mirë. Mora mesazhe të mira nga të ardhurit në këtë merkato dhe më kënaq fakti që nuk rriskuam dëmtime gjatë lojës. Egnatia është skuadra cilësitë e së cilës që dihet. Jo më kot kryeson bindshëm klasifikimin dhe në gjykimin tim, është në rrugën e mbarë për të tentuar titullin kampion në fund të sezonit”.

ISA HALILI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"