“E mbyll te Milani, më mungon vetëm Champions-i”, kapiteni Kalabria: Pioli e Maldini unikë, në klub jam grindur vetëm me…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2024 | 23:56

“E mbyll te Milani, më mungon vetëm Champions-i”, kapiteni Kalabria: Pioli e Maldini unikë, në klub jam grindur vetëm me…

Siç ishte paralajmëruar, më në fund ka dalë në media edhe intervista integrale e Davide Kalabrias. 27- vjeçari, kapiteni i Milanit dhe prej një dekade në ekipin e parë ka folur për shumë tema duke filluar që nga hapat e para në futboll e deri tek shiriti që tashmë mban në krah.

KALABRIA

Cilat kanë qenë vështirësitë e para?

Kam filluar në ekipin e fshatit dhe më pas prindërit më çuan në një ekip tjetër. Çdo ditë me autobus dhe mes shumë sakrificash, pasi rrjedh nga një familje me mundësi ekonomike modeste. Për fat ia dola dhe po i ndihmoj, por fillimet, sidomos pas transferimit në akademinë e Milanit kanë qenë të trishta dhe nuk e mohoj që kam qarë disa herë.

Si përfunduat nga mesfushor në mbrojtës të djathtë?

Ishin kërkesat e trajnerit të asaj kohe, megjithatë nuk e mohoj që do të doja që isha mesfushor edhe sot e kësaj dite.

Nuk jam penduar për asgjë, Milani është një emocion dhe për mua është më i veçantë sepse jam rritur në familje milanistësh. Kam një dajë juventin që u mundua të më ndryshonte, por me kohën po e ndryshoj unë atë.

Milanist dhe kapiten, sa vlen kjo për ju?

Është jeta ime dhe jam shumë krenar. Sa herë vesh fanellën kujtoj kampionët që e kanë mbajtur para meje dhe sa kohë më është dashur të ndjek këtë ëndërr. Doja të isha pjesë e Milanit që fëmijë. Ia dola, kam luajtur në Serinë A duke e fituar ndaj më ngelet veç Champions-i.

Çfarë keni bërë me paratë e para?

Kam nisur me kuota minimale dhe gjithmonë mi ka menaxhuar familja. Nuk e mbaj mend çfarë shpenzimesh janë bërë, por me siguri do kem ngrënë ndonjë darkë me shokët dhe një me familjen.

Keni punuar me Inzagin, Sedorfin… Si është të të stërvitin idhujt?

Fantastike. Inzagi më ka dhënë shumë sepse më besoi që në ekipet zinxhir dhe më mori në ekipin e parë sapo u emëruar trajner. Jam mirënjohës ndaj të gjithë shokëve apo trajnerëve me të cilët kam pasur privilegjin të punoj.

Keni shkuar mirë me të gjithë?

Me shumicën po sepse jam natyrë e qetë dhe nuk i bëj bisht ballafaqimeve. Kujtoj një debat me Montelën, por jo arsyen, megjithatë edhe të tilla gjëra janë pjesë e lojës. Përfitoj ta përshëndes.

Po me Piolin, si shkoni?

Shumë i zoti për të futur veten në grup në një moment të komplikuar për ekipin por edhe për të. Ajo situatë na bashkoi edhe më shumë. E nisëm me vështirësi në fillim, por kur arritëm në fund e kuptuam se çfarë kishim bërë. Ai nuk u dorëzua dhe besoi në frytet e punës.

Çfarë kujtoni nga titulli?

Ishte momenti më i lartë i jetës time te Milani. Të fitosh pas një periudhe vështirësie ishte një rrugëtim i madh, veçanërisht për mua që vija nga sektori i të rinjve. Një vit i bukur edhe në nivel njerëzor, u krijuan lidhje të bukura me ata lojtarë. Të kesh foton në “Milanello” ishte e mrekullueshme dhe shpresoj të var më shumë.

Sa peshë ka shiriti i kapitenit?

Absolutisht shumë, një nga më të rëndësishmit në futboll. Të sjell më shumë përgjegjësi nga pikëpamja njerëzore, pastaj vjen fusha. Është thelbësore të jesh në gjendje të jesh një person i shkëlqyer dhe të jesh shembull apo frymëzim, nga fëmijët më të vegjël deri te të rriturit që ndjekin këtë ekip dhe këtë sport.

Përse ia dhatë Bonuçit shiritin disa vite më parë?

Leonardo është sjellë gjithmonë mirë me ne, gjithmonë i sinqertë dhe super profesionist. E kam pasur edhe shok skuadre në kombëtare dhe mund të flas vetëm mirë për të. Shiriti dhe Leo u zgjodhën nga njerëz të tjerë që nuk ishin fortë të rëndësishëm për ne, pasi ne thjesht donim të vozisnim në të njëjtën anë.

Çfarë ju ka mësuar Paolo Maldini?

Durimin, pa dyshim. E kam parë të qetë në çdo moment duke pasur sjelljen dhe mënyrat e duhura. Kishte maturinë e duhur për të përballuar situata me të njëjtën qetësi.

E shikoni veten te Milani përgjithmonë?

Kam qenë gjithmonë me të njëjtën ide me klubin dhe mundësia e largimit nuk është vlerësuar kurrë. Nuk mendoj se dua të jem pjesë e saj fizikisht pas karrierës, edhe pse është ende herët. Për mua ky shirit dhe kjo fanellë do të jenë gjithmonë pjesë e imja.

Cili ka qenë kolegu më i fortë që keni pasur?

Me Kakanë jam stërvitur dhe ishte fantastike pasi jam rritur me posterin e tij në dhomë. Talent i pastër ka qenë Zheremi Menez, që më linte gojëhapur gjithmonë. Shokët aktualë nuk po i përmend sepse ka disa që janë të fortë.

Pra, nuk do të veçoni as Leaon?

Ai ka një talent të lindur dhe një marsh më shumë se kushdo. Duhet të jetë në gjendje të qëndrojë i qetë dhe pastaj fusha të flasë për të. Shifrat i kanë në anën e tij. Nëse ai e kupton talentin që ka, mund të bëhet një ose lojtari më i mirë në botë.

Ai është një fitues i “Topit të Artë”, me ato cilësi fizike të lindura që nuk i shoh te shumë sportistë elitarë. Nëse ai do të kishte instinktin vrasës të Kilië Mbapes, Rafa mund të ishte një fitues i “Topit të Artë”.

A mundet ky Milan të arrijë nivelin e Milanit që keni ndjekur kur ishit fëmijë?

Situata është më e komplikuar sesa në vitet e kaluara. Por ne kemi treguar se edhe duke mos bërë merkato faraonike mund të arrijmë ta ngremë nivelin vit pas viti. Më e komplikuar se më parë dhe jemi prapa nga pikëpamja ekonomike dhe imazhi krahasuar me Anglinë. Por asgjë nuk është e pamundur, një ditë mund të arrijmë atje. Kam shumë besim.

Si e cilësoni vendin e dytë në kampionat?

Ajo që donim ishte të fitonim titullin. Duhet të jemi të kthjellët dhe të jemi të qartë se Interi po bën një kampionat të jashtëzakonshëm. Ne duhet të jemi të sinqertë me veten dhe me të gjithë dhe të themi bravo për atë që po bëjnë. Po bëjmë mirë në kampionatin tonë, kemi ritmin e titulli, megjithatë nuk duhet harruar se sa shumë dëmtime na kanë ndodhur.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"