“E duam shumë fitoren me Vorën, objektivi i arritshëm”. Harizaj: Apolonia e kap vendin e 4-t

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2024 | 23:39

“E duam shumë fitoren me Vorën, objektivi i arritshëm”. Harizaj: Apolonia e kap vendin e 4-t

Apolonia është e pesta në renditje me 40 pikë, teksa kanë mbetur edhe 6 takime nga fundi i kampionatit. Javët e mbetura kërkojnë angazhim maksimal për të arritur katërshen e parë. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, portieri dhe kapiteni i fierakëve, Romeo Harizaj, tregon për sezonin e mirë që Apolonia po zhvillon, por edhe objektivin sezonal për të qenë pjesë e katërshes së parë të kampionatit.

Romeo Harizaj, portieri i Apolonisë

Romeo, sa i kënaqur jeni me barazimin ndaj Flamurtarit?

Duke ditur shkallën e vështirësisë, mendoj se morëm maksimumin. Së pari nga vetë emri i kundërshtarit, së dyti nga zhvillimi i ndeshjes në Vlorë dhe së treti nga klasifikimi në renditje, i bie që barazimi është rezultat i kënaqshëm. Bëmë një ndeshje të mirë, duke interpretuar me saktësi të gjitha ato që i kishim punuar gjatë seancave stërvitore për të bllokuar kundërshtarin.

Kishit mundësinë të shënonit në minutat e fundit, çfarë ndodhi?

Shpërdoruam dy mundësi, njëra më e pastër se tjetra. Me pak qetësi dhe përqendrim në metrat e fundit të fazës sulmuese, mund të kishim marrë tri pikët. Futbolli është lojë episodesh, kështu që duhet të tregohesh pragmatist dhe të shfrytëzosh më së miri çdo rast për shënim, sepse një herë të vjen mundësia.

Ishte një ndeshje e hapur, pasi edhe ju me pritjet e njëpasnjëshme mbajtët rrjetën të paprekur, si ndiheni?

Ndihem shumë mirë që po kaloj një formë të shkëlqyer sportive, por unë jam i mendimit se çelësi i suksesit të kësaj skuadre është grupi. Ne jemi të gjithë të bashkuar, besojmë fort te njeri-tjetri dhe sakrifikojmë shumë për këtë fanellë.

Jeni duke zhvilluar një fazë të tretë pozitive. A u rikthye Apolonia e fillimit të sezonit, solide në mbrojtje dhe agresive në sulm?

Thjesht po bëjmë shumë mirë punën tonë dhe po shpërblehemi me pikë të vyera, brenda dhe jashtë fushe. Megjithatë, përpos ecurisë pozitive të javëve të fundit, ne kemi arritur të bëjmë një sezon pozitiv me gjithë luhatjet në ndonjë moment. Në tërësi kemi treguar se jemi një ekip që duhet të merremi në konsideratë.

Kundërshtari i radhës është Vora, si e mendoni këtë duel?

Kundër Vorës na pret një ndeshje mjaft e vështirë, me një kundërshtar që është pranë nesh në renditje dhe për këtë arsye i kemi kushtuar dhe dhënë rëndësinë e duhur. Me Vorën, për vetë faktin se jemi pranë në renditje, mund të konsiderohet edhe një ndeshje kyçe për katërshen e parë. Duhet të jemi të përqendruar për të marrë më të mirën.

Cili është objektivi i Apolonisë për këtë takim?

Ndaj Vorës, ashtu si në çdo takim tjetër, ne do të synojmë maksimumin e pikëve. Apolonia i ka kualitetet për ta interpretuar ndeshjen në mënyrën më të mirë dhe për të marrë fitoren, që aq shumë e duam në këtë takim. Do të mundohemi të japim më të mirën në fushë dhe të jemi të përqendruar në maksimum për të zhvilluar një ndeshje shumë të mirë.

Sa shanse ka Apolonia të ngjitet në vendin e 4-t në renditje?

Për mendimin tim, është objektiv më se i arritshëm. Si fillim, duhet të kalojmë me sukses ndeshjen e radhës, që përkon pikërisht me Vorën e vendit të katërt. Ne do të vazhdojmë të luftojmë për synimet tona dhe për të lënë atë vend ku ndodhemi aktualisht.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"