“Dua gol me bardheblutë”, Mihana flet për sfidën e sotme dhe kampionatin: Kastrioti mbijeton në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 28, 2023 | 11:25

“Dua gol me bardheblutë”, Mihana flet për sfidën e sotme dhe kampionatin: Kastrioti mbijeton në Superiore

Kastrioti i Krujës pas asaj fitoreje shpresëdhënëse ndaj Vllaznisë, sot do të ketë një tjetër përballje të vështirë për Kupën e Shqipërisë ndaj Tiranës kryesuese. Trajneri Emiljano Çela ka vijuar përgatitjet, ndonëse koha ka qenë shumë e kufizuar vetëm 2 ditë, por duket se ka qenë e mjaftueshme për të pasur të gjithë titullarët në dispozicion.

bandicam 2023-02-25 17-33-37-275

Pas fitores ndaj Vllaznisë që vjen pas disa humbjeve situata e besimi në radhët e Kastriotit për qëndrimin në kategori është rritur ndjeshëm. Në javët në vijim rezultatet nuk do të mungojnë, por që takimi i sotëm ndaj Tiranës nuk është lënë mënjanë, jo vetëm kaq, por ka qenë vetë trajneri Çela që është shprehur se kemi dhe ne pretendimet tona për kualifikim.

Ndërkohë, Redian Mihana, autori i golit të fitores ndaj Vllaznisë, në një prononcim për “Panorama Sport”, u shpreh i lumtur që Kastrioti fitoi falë golit të tij dhe premtoi se do të shënojë dhe gola të tjerë, madje, siç u shpreh, dëshiron t’i shënojë edhe Tiranës ditën e sotme për ndeshjen e parë të Kupës. Më tej ai u tha:

“Fillimisht atmosfera nuk ishte e duhura, pasi mungesa e pikëve dhe e rezultateve që Kastrioti nuk po arrinte, e ndikoi në anën psikologjike, por tani jam i kënaqur, pasi së bashku po punojmë shumë. Tani kemi ndryshuar për me mirë si nga ana psikologjike ashtu dhe harmonia e grupit. Me ardhjen e profesor Çelës kanë ndryshuar shumë gjërat për mirë, pasi ai e njeh ambientin e mentalitetin e çdo lojtari. Ekipi ka ndryshuar shumë dhe kemi shumë besim se do të arrijmë objektivin e venë nga klubi, qëndrimin në Superiore”.

Ndërkaq, i pyetur për të vetmin gol ndaj Vllaznisë, me vlerën e tri pikëve, gol që mundet të thyejë akullin për vazhdimësi e për të ardhmen, Mihana u shpreh: “Shpresoj që jo vetëm goli im, por edhe gola të tjerë nga secili e të gjithë bashkë të bëjmë më të mirën e të punojmë, fitojmë sa më shumë ndeshje për të pasur rezultate sa më të mira e për t’ju shmangur fundit të renditjes”.

Për sa i përket ndeshjes së sotme ndaj Tiranës, Mihana tha se: “Shpresoj të shënoj ndaj Tiranës, por më kryesorja është të jap maksimumin e më të mirën për ekipin. E rëndësishme është të bëj mirë për ekipin e të zbatoj ato që na thotë trajneri”, përfundoi Mihana.

SHKËLQIM HASANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"