Dinamo zyrtarizon tre afrime, largohet Kotorri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2015 | 18:03

Dinamo zyrtarizon tre afrime, largohet Kotorri

dinamo-u-19Dinamo nis të lëvizë në këtë merkato vere. Te blutë, që tashmë drejtohen nga Igli Allmuça, janë afruar tre futbollistë, një mesfushor, një sulmues dhe një portier. Ish-sulmuesi i Tërbunit, Xhynejt Çutra, ka rënë dakord me drejtuesit e klubit dhe ata i kanë ofruar një kontratë 1- vjeçare. Nuk bëhet e ditur ana financiare, por mësohet se lojtari ka firmosur për Dinamon për një vit. Çutra ka luajtur për dy sezonet e fundit me Tërbunin ndërsa ka qenë pjesë edhe e ekipit të Bylisit, Shkumbinit dhe Apolonisë.

Mesfushori shënoi në testin e parë të tij në ndeshjen që Dinamo zhvilloi me Erzenin. Një tjetër emër i afruar është 23-vjeçari korçar, Artnant Tahirllari, i cili ende nuk ka firmosur kontratën, por palët kanë arritur marrëveshjen dhe së shpejti pritet zyrtarizimi. Mesfushori është rritur tek akademia e Skënderbeut dhe ka luajtur për tre sezone me korçarët. Sezonin e fundit ka luajtur tek Elbasani dhe Luftëtari.

Gardiani Kadri Birja është portieri që do të mbrojë portën e Dinamos për sezonin e ri. 25-vjeçari peqinas ka qenë pjesë e Luftëtarit kampionatin e fundit, ndërsa tashmë është bërë pjesë e Dinamos. Ai ka dalë në stërvitje dhe së shpejti do të firmoset kontrata. Birja do të zëvendësojë Elvis Kotorrin, i cili është larguar nga blutë duke u bërë pjesë e Korabit.

Kotorri Në një prononcim për “Panorama Sport”, ish-portieri i Dinamos shprehet: “Tashmë nuk jam më pjesë e ekipit të Dinamos dhe i jam bashkuar Korabit. Më vjen keq që u largova, por sporti i tillë është, edhe pse ekipi blu është shumë i dashur për mua. Më bindi projekti i Korabit, afrimet që ata kanë bërë, por të jem realist, jam ndikuar shumë edhe nga trajneri Dritan Mehmeti. Tekniku ka qenë një nga arsyet që unë u jam bashkuar atyre. Kam dal në stërvitje dhe kemi arritur marrëveshjen. Tashmë mbetet vetëm firma. Gjithsesi, Dinamo mbetet në zemrën time”, përfundon Kotorri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"