“Dinamo i vetmi rival”, Bicaj “qan” Korçën: Ndryshuam me “magji”, mundim edhe Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 1, 2022 | 21:39

“Dinamo i vetmi rival”, Bicaj “qan” Korçën: Ndryshuam me “magji”, mundim edhe Skënderbeun

Ditmar Bicaj nuk e shijoi dot në fushë fitoren e Flamurtarit. Iu desh të largohej para kohe, pas atij dëmtimi që mori. Një traumë në bërryl, që do ta lërë të paktën 20 ditë jashtë. E megjithatë, vetë mbrojtësi shpreson të jetë gati përpara Botërorit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, lezhjani shpreh keqardhje që do të humbasë Skënderbeun.

ditmar bicaj

Ka kujtime fantastike nga aventura në Korçë, por troç e thotë që këtë fundjavë do të fitojnë vlonjatët. Shtatlarti i qëndron ende deklaratës së dhënë më herët për rivalitetin e ngjitjes. Ai sheh si kundërshtarë të vetëm Dinamon, duke anashkaluar të tjerët.

Vetëm 33 minuta qëndruat në fushë, pas atij dëmtimi që morët. Si është gjendja e bërrylit?

Kam luajtur vetëm për 33 minuta për fat të keq. Më herët doli edhe Silue, që po ashtu u dëmtua dhe stafi kreu dy ndërrime të detyruara. Gjëra që ndodhin në futboll. Fat i keq. Na zuri pak paniku, por gjithsesi ndeshja përfundoi me fitoren tonë dhe kjo gjë më gëzon. Sa i përket dëmtimit do të shikojmë në ditët në vazhdim.

Çfarë dëmtimi keni pësuar konkretisht?

Sot (dje) kam pasur një vizitë tek ortopedi. Kam një pasur një shembje me një traumë në pjesën e bërrylit. Koha e rikuperimit është 10- 20 ditë.

Për sa mendoni se do të rikuperoheni?

Duke parë si do të reagojë bërryli, besoj dhe pretendoj që të jem gati në ndeshjen e fundit me Burrelin, përpara se të ndërpritet kampionati për Botërorin. Do të jem në luftë me kohën. Megjithatë, më vjen keq që nuk do të jem në ndeshjen e radhës me Skënderbeun.

Pse do t’ju mungojë kjo ndeshje?

E doja shumë këtë përballje me Skënderbeun, sepse korçarët më kanë dhënë shumë. Por unë jam profesionist dhe i shërbej klubit ku ndodhem, qytetit që më respekton. Ndihem shumë mirë në Vlorë si nga stafi, presidenca dhe tifozët. Besoj që do të dalim me tri pikë nga qyteti i Korçës.

Le të kthehemi pak te java që sapo u mbyll, skuadra është kthyer në “shina” dhe nuk po di të ndalet…

Po, patjetër që jemi në rrugë të mbarë. Ekipi po prodhon lojë, po shënon jashtëzakonisht shumë dhe nuk po pëson. Besoj se ka një harmonizim perfekt në të tria repartet: mbrojtje, mesfushë dhe sulm. Kështu që jemi në rrugën e duhur. Por kemi ende rrugë për të bërë pasi Flamurtari duhet të sigurojë sa më shpejt ngjitjen në Superiore.

Keni ndryshuar si me magji, çfarë ka ndodhur?

Është e vërtetë. Duhet thënë që pas atyre dy javëve jopozitive, skuadra ka ndryshuar dhe kjo prej brazilianëve të ardhur. Ata kanë kuptuar shpejt pretendimet që ka Flamurtari. Kemi punuar shumë gjatë gjithë kësaj periudhe dhe jemi të kënaqur edhe me afrimet e bëra pasi janë përshtatur shumë mirë me ekipin, ambientin dhe qytetin. Kështu që edhe ky ndryshim i skuadrës është shumë pozitiv.

I kënaqur me paraqitjen në ndeshjen me Orikun?

Pjesa e dytë ka qenë jashtëzakonisht shumë e bukur. Pjesën e parë e kemi filluar pak të vakët, duke parë se luhej në një orar që nuk jemi mësuar. 12:30 është një orar shumë i vështirë për sportistët. Megjithatë, pas një pjese të parë të vakët, por që krijuam 2-3 raste, goli shumë i shpejtë në pjesën e dytë bëri që ekipi të lirohej dhe të shfaqej ashtu si në ndeshjet e fundit, me qarkullim me raste dhe me gola të shënuar.

Po Oriku si ju duk në këtë derbi?

Shumica e lojtarëve të Orikut janë vlonjatë. E ndienin si derbi. Megjithatë, mua më pëlqen loja e fortë. Kanë një ekip simpatik që lufton. Megjithatë, diferencat mes dy ekipeve janë shumë të mëdha, sepse edhe objektivat tanë dihen tashmë. Ju uroj suksese pasi deri tani kanë zhvilluar një garë për t’u marrë shembull.

Meqenëse e radhës është me Skënderbeun dhe dihet lidhja juaj me këtë ekip. I shihni pretendentë për ngjitjen në Superiore?

Kjo është një pyetje pak e vështirë, sepse do të jetë një garë e luftuar. Janë tri ekipe për dy vende. Shikoj Flamurtarin, Dinamon dhe Skënderbeun. Dinamon e kemi parë se jemi ndeshur, ndërsa nuk e di forcën e Skënderbeut. Ka një ekip me djem të rinj me përjashtim të Zguros, Frashërit dhe Ruçit, të cilët i njoh.

Ekipi është me lojtarë shumë të rinj me Pusin me Liçon e Likën. Janë lojtarë të talentuar, por dua të them në këtë nivel duhen lojtarë që e njohin mirë këtë kategori, që përballojnë shkelmin, kanë eksperiencën e duhur. Por mbetet për t’u parë. Flamurtari deri tani ka bërë më mirë nga të gjithë, prandaj jemi edhe në vendin e parë. I uroj suksese Skënderbeut.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"