Dikur milioner, sot i varfër, merkatoja e Flamurtarit ngec që në start

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2019 | 13:08

Dikur milioner, sot i varfër, merkatoja e Flamurtarit ngec që në start

Flamurtari “ngec” në merkato. “Senatorët” nuk kthehen pa u zgjidhur problemet financiare. Burime të sigurta nga klubi i thanë “Panorama Sport” se futbollistët që mbyllën sezonin në Vlorë dhe që kërkohen nga klubi kanë vendosur kushtet e tyre.

flamurtarii

Enea Koliçi, Franc Veliu dhe Blerim Kotobelli ishin të parët që u kontaktuan nga drejtuesit. Gazeta zbulon se dy ditë më parë ka pasur edhe një takim kokë më kokë mes drejtorit Artim Pollozhani dhe mbrojtësit Franc Veliu. Pollozhani i ka bërë ofertën për t’u rikthyer Veliut, por mësohet se mbrojtësi ka kërkuar pak kohë për t’u menduar, por edhe garanci financiare.

Burime pranë klubit thanë për “Panorama Sport” se ka qenë totalisht kundër rikthimit portieri Enea Koliçi. Portieri ka qenë i prerë në qëndrimin e tij, teksa më parë ka kërkuar nga klubi që të paguhet për detyrimet e prapambetura të sezonit të shkuar. Por duket se pengesë për t’i dhënë një përgjigje më të zbutur klubit vlonjat është bërë edhe marrëveshja në parim me Skënderbeun.

enea kolici

 

Klubi ka kontaktuar edhe Blerim Kotobellin, por edhe ky i fundit është në radarët e korçarëve dhe ka ngurruar për një përgjigje pozitive pa u mbyllur llogaritë e sezonit të shkuar.

ÇËSHTJA

Lojtarët që mbyllën sezonin e kaluar në Vlorë, ndiejnë pasiguri për të firmosur me Flamurtarin. Në një kohë që ende nuk janë mbyllur çështjet e sezonit të shkuar dhe lojtarët nuk janë paguar, atëherë pasiguria për ta mbetet e madhe. “Panorama Sport” mëson se lojtarët që mbyllën në Vlorë sezonin e kaluar i kanë vendosur klubit si kusht që t’u hedhin rrogat e prapambetura në llogaritë bankare dhe më pas të hyjnë në diskutime për një kontratë të re. Pa u hedhur lekët në llogaritë e tyre, asnjë futbollist nuk pranon rikthimin.

Flamurtari goli

Kjo do të thotë se për të firmosur me Flamurtarin, duhet siguri financiare. Duke qenë se vitin e kaluar futbollistët dhe stafi teknik kanë punuar pa u paguar, drejtuesit e Flamurtarit po hasin vështirësi në bisedimet me lojtarët. Flamurtari nga një ekip që e donin të gjithë, tani e refuzojnë të gjithë. Nga lojtarë dhe trajnerë nuk e preferojnë më klubin vlonjat për shkak të pasigurisë financiare që e ka mbërthyer. Dikur Flamurtari ishte milioner, ndërsa sot i varfër.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"