“Dihet cilët kemi rivalë, Vlora e ka traditë këtë futboll të bukur”, drejtori i Flamurtarit: Në Korçë rimarrim kreun!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2022 | 11:12

“Dihet cilët kemi rivalë, Vlora e ka traditë këtë futboll të bukur”, drejtori i Flamurtarit: Në Korçë rimarrim kreun!

Flamurtari, për fitore edhe në Korçë. Drejtori i klubit, Alfred Ferko, pret një ndeshje të luftuar dhe këtë e shpreh gjatë një interviste për “Panorama Sport”. Ferko analizon ecurinë pozitive, ndërsa u jep merita brazilianëve dhe frymës që ekziston në grup. Rivalë shikon Dinamon dhe Skënderbeun, ndërsa garën për në Superiore e cilëson të fortë.

SINAN IDRIZI ALFRED FERKO 1

Ferko, Flamurtari po surprizon, çfarë ka ndodhur?

Jo, unë nuk do ta quaja surprizë. Do të thoja një vazhdimësi e rezultateve pozitive dhe falë një pune të mirë që po bëhet nga të gjithë, duke filluar nga lojtarët dhe stafi teknik. Besoj se e prisnim dhe jemi shumë të kënaqur.

Pas asaj nisjeje jo të mirë, e prisnit këtë reagim të menjëhershëm?

E prisja që do ta gjenim rrugën tonë. Ishte një fillim jo i mirë, por duke parë me kujdes afrimet dhe mënyrën e interpretimit të lojës, kemi krijuar stilin tonë.

Çfarë prisni në ndeshjen me Skënderbeun?

Asgjë më tepër dhe asgjë më shumë se të gjitha ndeshjet e tjera. Një ndeshje për t’u luftuar dhe për t’u fituar. I kemi të gjitha mundësitë dhe duhet ta tregojmë veten që jemi pretendentë kryesorë për të arritur në Superiore, që është objektivi kryesor yni.

Sa e vështirë është kjo përballje?

Të gjitha skuadrat janë për t’u respektuar dhe të gjitha duhen parë me kujdes. Natyrisht është Skënderbeu, por nga ana tjetër është një emër si Flamurtari, kështu që do të mundohemi të arrijmë objektivin tonë që të fitojmë në këtë ndeshje. Na duhet për të vazhduar rrugën e mirë që tashmë e kemi nisur.

Cilët janë rivalët e Flamurtarit këtë sezon?

Rivalët pak a shumë dihen. Dy ekipet kryesore janë rivalët tanë, Dinamo dhe Skënderbeu. Pastaj, kampionati është i gjatë dhe duke u bërë ndeshjet, do të shikohen ekipet që mbeten rivale. Por për mendimin tim janë këto të dyja, që do të shkojnë deri në fund. Ne duhet të shkëputemi sa më shpejt për të ruajtur kreun dhe për të forcuar pozitat tona.

I keni mundësitë të riktheni në vendin e parë?

I kemi të gjitha mundësitë dhe kualitetet.

Është një futboll i bukur që Vlora e ka traditë, Vlora e pëlqen. Natyrisht që lojtarët brazilianë i kanë dhënë një ngjyrë tjetër ekipit dhe shpresojmë që të ruajnë këtë ritëm. Tradita mbahet. Gjithnjë jam duke u shprehur për lojtarët brazilianë, që është një lojë e tyre, një lojë që u pëlqen.

Mendoni se brazilianët e kanë marrë ‘për dore’ këtë Flamurtar apo ka të bëjë edhe fryma në grup?

Ajo është kryesorja. Grupi gjithnjë është i mirë. Në fillim është grupi, pastaj janë individët. Janë të gjitha të lidhura bashkë. Individët kontribuojnë për të zgjidhur momente të veçanta në lojë dhe një pjesë e madhe e këtyre lojtarëve e kanë klasin dhe mundësinë që për një moment ta zgjidhin edhe në mënyrë individuale lojën.

Si është situata me stolin, pasi kampionati është i gjatë?

Flamurtari ka krijuar një përbërje të fortë në grup dhe në stol. Ka lojtarë që dublojnë njëri-tjetrin, kur kemi mungesa, jemi të qetë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"