Di Mateo gjen fajtorin: Me Sitin na ndëshkoi arbitri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2012 | 13:50

Di Mateo gjen fajtorin: Me Sitin na ndëshkoi arbitri

Roberto Di Mateo nuk gjen fajtor në skuadrën e tij për humbjen e Superkupës. Për të, arbitri Kevin Frend ishte protagonisti kryesor kundër Çelsit. Ndëshkimi i Branislav Ivanoviçit direkt me karton të kuq pas ndërhyrjes ndaj Kolarovit në pjesën e parë, ishte dhe pika e kthesës së ndeshjes, të cilën deri në atë minutë e kryesonin blutë e Londrës falë golit të Torresit. Trajneri i londinezëve nuk e bën dramë humbjen e parë zyrtare, por pakënaqësinë e tij për vendimin e arbitrit, ai e shfaq pa asnjë rezervë. “Gjyqtari ndryshoi ndeshjen në favor të Mançester Sitit. Deri në minutën e 40 të ndeshjes ne ishim skuadra më e mirë në fushë. Por të përballosh Mançesterin për një pjesë të plotë loje në inferioritet numerik është e vështirë. Ndërhyrja e Ivanoviçit nuk kishte asnjë qëllim për të dëmtuar kundërshtarin. Ishte një faull i ashpër, por ai preku edhe topin. Në të tillë raste mund të jepet direkt karton i kuq, por edhe mund të mos jepet. Mendoj se gjyqtari duhet të kishte gjykuar qëllimin e ndërhyrjes. Ajo nuk kishte asnjë synim për të dëmtuar Kolarovin”, – tha i zhgënjyer pas ndeshjes tekniku italian. Pavarësisht këtij incidenti, menaxheri 42- vjeçar kishte mbetur i kënaqur nga paraqitja e kampionëve të Evropës e në veçanti lojtarëve të sulmit. Ai i thuri elozhe paraqitjes së Eden Hazardit në debutimin e tij zyrtar: “Ishte ndër lojtarët më aktivë në fushë dhe u shkaktoi probleme kundërshtarëve në krah. Kishte disa mundësi të mira. Është një lojtar me cilësi teknike të jashtëzakonshme dhe do të jetë një sukses në ‘Stamford Bridge’. Por, ish-mesfushori i Çelsit nuk i kurseu fjalët e mira edhe për paraqitjen e Fernando Torresit, i cili me këtë formë nuk do ta ketë të vështirë të zëvendësojë denjësisht Didier Drogbanë: “Fernando ishte një lojtar i rrezikshëm. Mos harroni ky ishte 90 minutëshi i parë i plotë i spanjollit që kur është rikthyer në stërvitje 3 javë më parë. Por ne nuk duhet t’i presim golat vetëm nga ‘El Ninjo’. Në këtë skuadër kanë shënjestër edhe shumë lojtarë të tjerë si Hazard, Ramirez, Huan Mata, Daniel Starrixh por edhe Frenk Lampard”.

Hazard: I kënaqur me debutimin, jo me humbjen
“Bëmë një ndeshje të mirë dhe me pak fat mund ta kishim fituar ne trofeun e Superkupës”. Këto kanë qenë fjalët e yllit të ri në “Stamford Bridge”, Eden Hazard, pas humbjes me Sitin. Mesfushori belg, i cili mori elozhet e trajnerit Di Mateo pas një ndeshjeje shumë të mirë në “Villa Park”, u shpreh gjithashtu i kënaqur me ambientimin e tij te londinezët. “Unë ndihem mirë në fushë. Këtë e tregova edhe sot (dje). Pata disa mundësi, por fatkeqësisht goli i Bertrand erdhi shumë vonë. Në pjesën e parë luajtëm një futboll më të mirë. Gjithsesi, ky ishte vetëm trofeu i parë dhe pjesa më e vështirë do të nisë tani”, – tha ish-ylli i Ligës për “talksport”.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"