Devolli flet si trajner: Luftëtari, një sfidë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2014 | 9:10

Devolli flet si trajner: Luftëtari, një sfidë!

devolliBledar Devolli është zyrtarisht trajneri i ri i Luftëtarit për sezonin futbollistik 2014-2015. Prezantimin e tij si të parin e pankinës bluzi e ka bërë kryebashkiaku Flamur Bime në prani të sekretarit të klubit Arlind Nora si dhe të dy ndihmësve të Devollit, Ruzhdi Lamaj dhe Ledion Shanaj. “Sot, përpara jush më duhet të prezantoj trajnerin e ri të Luftëtarit, Bledar Devollin, i cili nga të gjithë njihet si njeri punëtor dhe ambicioz. Me grupin e lojtarëve aktualë me në krye kapitenin Besmir Sinani, shtuar përforcimin e radhës Ergys Mersini, pa harruar edhe prurjet e reja, Luftëtari i këtij sezoni ka vetëm një objektiv, atë të ngjitjes në Superiore. Si çdo sezon më parë, edhe ky i sivjetmi do të karakterizohet nga korrektesa financiare nga ne si drejtues. Mbi bazën e infrastrukturës së re që po ndërtojmë, do të krijojmë akademitë e moshave duke filluar nga U-13-ta deri te brezi i lojtarëve të rinj që do t’i bashkohen ekipit të parë. Do të ruajmë grupin e lojtarëve të shkollës gjirokastrite, njëkohësisht do të konfirmojmë si lojtarë të perspektivës 3-4 të rinj. Unë besoj se Devolli do të jetë mbështetës i aktivizimit të elementit të ri dhe shpreh bindjen se trajneri i ri do të dijë ta çojë Luftëtarin në vendin e parë në fund të sezonit”, përfundoi Bime.
Devolli – “Më vjen mirë që karrierën time sportive e nis me ekipin e qytetit ku u linda dhe u formova si futbollistit profesionist. Drejtuesit e Luftëtarit, duke filluar nga presidenti Flamur Bime dhe sekretari Arlind Nora, mbeten pa dyshim njerëzit më të përkushtuar për ecjen përpara të ekipit. Më pëlqejnë sfidat ndaj dhe mora mbi supe këtë barrë të rëndë. Shpresoj ta shpërblej me punë besimin e drejtuesve, të mbledhim sa më shumë njerëz në stadium dhe Luftëtari të renditet i pari në grupin e jugut”.
TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"