Dështon pista “Da Silva”, firmosin Vuk dhe Kraja, blindohet mbrojtja e Vlaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2012 | 11:32

Dështon pista “Da Silva”, firmosin Vuk dhe Kraja, blindohet mbrojtja e Vlaznisë

Gordan Vuk është blerja më e re e Vllaznisë, ndërsa ka dështuar përfundimisht pista “Da Silva”. Qendërmbrojtësi kroat, pas disa ditësh pritjeje, ka firmosur dje me skuadrën shkodrane duke qenë kështu pjesë e saj për periudhën e mbetur të kampionatit. Ndërkohë përveç tij, po dje, që ishte edhe dita e fundit e federimeve, ka firmosur për Vllaznisë edhe një qendërmbrojtës tjetër. Bëhet fjalë për shkodranin Ervis Kraja, lojtar që pjesën e parë të sezonit u aktivizua me Dinamon. Në aspektin e përforcimeve, dy blerjet e kuqebluve mund të quhen pozitive pasi rrisin ndjeshëm konkurrencën në ekip. Mirëpo, problematika qëndron në faktin se tashmë numri i lojtarëve në qendër të defensivës shkon në 5. Gavrilo Petroviç, Arsen Sykaj, Gordan Vuk, Ervis Kraja dhe Amarildo Belisha janë lojtarët që trajneri Rudi Vata i duhet të përzgjedhë për qendrën e mbrojtjes. Kësisoj, edhe konkurrenca për të fituar një vend titullari është rritur ndjeshëm, çka do të ndikojë në përmirësimin e repartit të mbrojtjes.
Braziliani Ndërsa kanë arritur të federohen në kohë dy lojtarët Vuk dhe Kraja, nuk mund të thuhet kështu për brazilianin Da Silva. Drejtuesit e klubit të Vllaznisë kanë dështuar në marrjen e qendërmbrojtësit, lojtar aq shumë i kërkuar nga trajneri Rudi Vata. Ndonëse braziliani ka realizuar fazën përgatitore me shkodranët në Ulqin, nuk ka mundur të bëhet pjesë e ekipit për periudhën e mbetur të kampionatit. Në fakt, drejtuesit kuqeblu fillimisht hoqën dorë nga afrimi i tij, por ka qenë kërkesa e vazhdueshme e teknikut Vata për ta marrë me çdo kusht lojtarin. Madje, numri një i pankinës shkodrane është marrë vetë kohët e fundit më këtë çështje, por tratativat kanë dështuar. Emri i tij nuk është dërguar për federim, duke bërë që kjo çështje të mbyllet përfundimisht. Në fakt, është disi pa kuptim se si një gjë e tillë kalohet me shumë lehtësi në kampin shkodran, në një kohë që gjatë gjithë kësaj periudhe Da Silva është stërvitur me Vllazninë, duke arritur deri aty sa Vata ta planifikonte në formacion. Megjithatë, Vllaznia e ka mbyllur dje përfundimisht merkaton. Bilanci? 6 lojtarë të afruar dhe 7 të larguar.

Smajli e Sykaj, stërvitje të diferencuar
Ndeshja e fundit ndaj Laçit ka lënë pasoja te skuadra e Vllaznisë, pasi dy lojtarët kryesorë Dritan Smajli dhe Arsen Sykaj janë dëmtuar. Që të dy kanë realizuar stërvitje të diferencuar. Sipas stafit mjekësor pohohet se ata nuk kanë dëmtime serioze për t’u shkëputur gjatë nga ndeshjet e luajtura, ndaj shpresohet që të rikuperohen për takimin e ardhshëm. Ndërkohë pjesa tjetër e grupit kuqeblu është në gjendje të mirë dhe pritet që lojtarët të arrijnë formën e tyre maksimale, në mënyrë që të realizohet ai nivel loje që pretendohet nga numri një i pankinës shkodrane, Rudi Vata.
ADMIR URUÇI

LISTA E FEDERIMEVE
PORTIERË
Miroslav Vujadinovic
Enis Gjokoviç
Ervin Hallunaj
MBROJTËS
Dritan Smajli
Bracan Popoviç
Arsen Sykaj
Amarildo Belisha
Gavrilo Petroviç
Gordan Vuk
Ervis Kraja
Izmir Balaj
MESFUSHORË
Florind Bardulla
Olsi Gocaj
Arsen Hajdari
Edon Hasani
Sergi Moreno
Bekim Dema
Abaz Karakaçi
Paulo Markolaj
SULMUES
Jurgen Gjini
Ivan Jablan
Nenad Brnoviç
Bekim Erkoçeviç

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"