Daja: Gjykim i turpshëm, nuk na lënë të luftojmë për titullin

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Shkurt 23, 2016 | 9:40

Daja: Gjykim i turpshëm, nuk na lënë të luftojmë për titullin

Ka qenë i revoltuar nga gjykimi, gjë që nuk hezitoi që ta shprehte edhe në deklaratën e dhënë për mediat. Ilir Daja ka radhitur disa fakte se përse skuadra e tij nuk e meritonte humbjen, ndërsa “faturën” për këtë ndeshje ia dërgon Andi Koçit.Daja 3 E cilëson të turpshëm arbitrimin, ndërsa habitet si nuk u dha një penallti aq e pastër. Por akuzat e trajnerit shkojnë edhe më larg se kaq, teksa thotë që Tiranën e tij nuk po e lënë që të luftojë për titullin. “Kjo është ndeshja ime e parë në Korçë si trajner i Tiranës, ndaj më vjen keq që po flas në këtë formë pas këtij 90- minutëshi.

Por, ishte një histori e përsëritur kjo e gjykimit dhe mendoj se sot (dje) u bë fare hapur, këtu, në mes të Korçës. Nuk e kam fjalën vetëm për atë (i referohet penalltisë së padhënë), pasi qysh në minutën e 7-të nuk u dha një 11-metërsh hapur fare nga ana e gjyqtarit Koçi.

Penallti më shumë se e dukshme dhe më vjen keq ta them, por ky ishte më shumë se një veprim i turpshëm nga ana e gjyqtarit kryesor të takimit. Në pjesën e dytë u dha një penallti për korçarët dhe ja ku përfunduam, me një humbje.

Një humbje, që kurrsesi nuk e meritonim. Jo më kot e theksova në fillim që ishte hera e parë që unë drejtoja në Korçë si trajner i Tiranës. Por duket se ky cikël nisi kështu, me gjyqtarë që na ‘dërrmuan’. Me pak fjalë, veprimet e arbitrit ishin të turpshme dhe këtë gjykojeni vetë, duke parë dhe riparë pamjet filmime. Aty do ta kuptoni të gjithë se çfarë bëjnë gjyqtarët.

Unë flas me fakte dhe jo në ajër. Ajo e jona, në të 82-ën, ishte penallti e pastër dhe kryesori nuk donte dhe nuk e dha. Kaq shumë e ‘duan’ Tiranën gjyqtarët. Meritonim shumë në këtë ndeshje, kaq di të them. Tiranën nuk e lënë të luftojë për titullin kampion dhe kaq mjafton”, u shpreh trajneri duke i thënë të gjitha në lidhje me gjykimin.

Në fund, kur Daja pyetet për numrin e këndoreve të Skënderbeut, ai përgjigjet: “Goditje kishte, por as nga këndorja e as në gjuajtje të tjera nuk na rrezikuan. Ne kishim mungesa dhe ju e dini mirë këtë, prandaj kishim ardhur, për të bërë lojën tonë dhe e kishim ndërtuar në atë mënyrë sa në pjesën e dytë rrezikuam disa herë dhe mund dhe duhet të kishim shënuar”.






www.minuta90.com