Cungu ia vë fajin Cicmil: Nuk është hera e parë, nuk do të jetë më pjesë e klubit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2017 | 21:12

Cungu ia vë fajin Cicmil: Nuk është hera e parë, nuk do të jetë më pjesë e klubit

Trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, ka fajësuar mbrojtësin Stefan Cicmil për humbjen e sotme përballë Skënderbeut. Në “Gol pas Goli” ai e ka cilësuar një futbollist problematik për ngjarje të tilla.

cungu

Për humbjen në minutën e fundit

“Është problem për të menaxhuar lojën, nuk është ndeshja e parë që na ndodh. Na ka ndodhur gjatë të gjithë sezonit. Edhe me Partizanin dy herë kemi qenë në avantazh në Shkodër dhe nuk ditëm ta ruanim. Ka ndodhur disa herë.

Nuk dimë ta mbajmë rezultatin, nuk dimë të menaxhojmë veten, e shihni vetë deri në minutën e fundit kishim mundësinë për të për të fituar faulle e goditje dënimi, ne duam të bëjmë gjëra të bukura, t’i kalojmë topin mbi kokë kundërshtarit, të bëjmë cirk me pak fjalë. Këto janë probleme që na çojnë te mosmarrja e pikëve, kjo është pjesë e gjynaheve tona.

Por gjynahet nuk janë vetëm me lojtarët në fushë, janë shumë gjynahe të tjera. Ka gjithë sezoni me gjynahe”.

Për penalltinë e fundit të Cicmil

“Në fakt, Cicmil nuk është hera e parë që bën gabime të tilla, ndaj edhe unë kam marrë një vendim bashke me portierin për të mos i aktivizuar te Vllaznia. Sot ishim me shumë mungesa, për lojtarë me kartonë, kishim Krymi jo në gjendje të mirë, Bakaj me temperature dhe nuk ishte i pranishëm në stërvitje. Pothuajse 7-8 lojtarë nuk ishin prezent, edhe në pankinë kishim lojtarë mangët për protokollin.

Nuk kisha asnjë alternativë tjetër, thashë t’ia jap një mundësi, duke shpresuar, por përfundimisht e ka çuar dëm, për mua nuk ka arsye të jetë më pjesë e Vllaznisë. Nuk është hera e parë, Vllaznia ka lënë shumë pikë në këtë mënyrë, nga këto të papërgjegjshëm.

Nuk është mirë kjo që them, se tingëllon keq meqë nuk është shqiptar, por nuk mund të bëhen gafa të tilla. Ka marrë kartona të kuq vjet, edhe këtë vit, ka shkaktuar penallti. Nuk mund të flas më tepër. Me kaq shumë gabime, nuk mund të jetë më pjesë e klubit”.

Për mungesën e lojtarëve

“Nuk kishim kontingjentin e duhur. Tafili kishte shqetësim muskulor dhe mendova të mos rrezikoja se në ndeshjen e jetës do ta kishim të mërkurën me Luftëtarin. Thash t’u jepja minuta të tjerëve të cilët kanë mundësinë dhe të drejtën për të kontribuar. Edhe Bakaj kishte 4 ditë temperature, edhe Shtubina. U detyrova për të mos i futur. Edhe aktivizimin e Bakajt e përdora si stërvitje, por kjo ishte situata”.

 

Për masën e përjashtimit ndaj Cicmil

“Është papërgjegjshmëri totale. Jam trajner dhe gjykoj me atë që shoh në ndeshje e seanca. Për pjesë të tjera nuk kam fakte, nuk akuzoj. Duhet të kesh fakte për të akuzuar. Unë sillem si profesionist për këtë rol.

Fakti që nuk kanë luajtur prej muajsh do të thotë që nuk kam besuar te serioziteti i tyre, sot isha i detyruar. Imagjinoni edhe Mulemon e kapi ngërçi dhe nuk kishim lojtar tjetër. Kjo ishte rastësia pse luajti Cicmil, se nuk do të luante asnjë sekondë, si nga janari e këndej”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"