“Çmontohet” Tomori, ikin 6 lojtarë. Klubi beratas ka gjetur konsensusin për “kontratat”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2024 | 10:39

“Çmontohet” Tomori, ikin 6 lojtarë. Klubi beratas ka gjetur konsensusin për “kontratat”

Tomori u mund të dielën e shkuar në shtëpi nga Besa e Kavajës, disfatë e cila është përkthyer si ndeshja që i vuri “vulën” qëndrimit të skuadrës beratasve në Kategorinë e Parë. Në Berat ka nisur procesi gradual i “çmontimit” të skuadrës aktuale, e cila ka në bazë të saj një marrëveshje konsensuale në mes klubit dhe futbollistëve, kryesisht “jabanxhinj”.

tomori stervitje

Këta të fundit, të diktuar edhe nga formula e përcaktuar për federimet në Kategorinë e Dytë, kanë gjetur me mirëkuptim të plotë, zgjidhjen e parakohshme të kontratës. Kjo ndodh edhe për faktin  për t’i dhënë më shumë hapësirë aktivizimi dhe ambientimi futbollistëve të rinj vendas, të cilët pritet që të përbëjnë edhe shtyllën kryesore të Tomorit sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Dytë. Sipas informacionit zyrtar që “Panorama Sport” ka marrë pranë stafit teknik të Tomorit, janë gjashtë futbollistë që kanë gjetur gjuhën e mirëkuptimit me klubin për likuidimin e pagës mujore për periudhën shkurt–mars dhe ndërprerjen e bashkëpunimit.

Njëra prej dy rrogave të kushtëzuara u likuidua javën e kaluar, ndërsa pagesa e marsit do të hidhet gjatë ditëve në vazhdim. Për gjashtë futbollistët, Andrea Lila, Ergi Ajazi, Arbër Deliu, braziliani Xheferson që do të rikthehet pranë familjes në Brazil, Mikli Bashaj, Kapllan Xhabafti, pas kalimit të pagës së marsit është rënë dakord që të firmoset edhe ndërprerja zyrtare e kontratës.

Iken DOBRONIKU dhe zv.trajneri Lisjan Hadaj

IKEN DROBONIKU – Trajneri i skuadrës beratase, Iken Droboniku, për “Panorama Sport” ka komentuar këtë zhvillim. “Me mirëkuptim të plotë, kemi gjetur së bashku një zgjidhje konsensuale në dobi të skuadrës dhe të ardhmes së saj. Nga ana e klubit është respektuar detyrimi për likuidimin e pagës mujore, që lidhet me periudhën e kontributit të futbollistëve deri në muajin mars. Pavarësisht punës dhe kontributit të gjithsecilit, klubi do të tregohet korrekt me të gjitha detyrimet.

Më duhet që të falënderoj futbollistët për gjithë kontributin te Tomori, duke i uruar më të mirën në karrierën e tyre. Sakaq, skuadra është duke punuar për ndeshjen e radhës ndaj Flamurtarit, ku synojmë të bëjmë një përfaqësim dinjitoz duke u dhënë hapësirës futbollistëve të rinj e me perspektivë”, u shpreh trajneri i Tomorit.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"