“Çmontohet” Anglia, pas Sakës edhe Kejn humbet Brazilin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2024 | 14:39

“Çmontohet” Anglia, pas Sakës edhe Kejn humbet Brazilin

Anglia ka pësuar disa goditje për para miqësores së luksit kundër Brazilit sot në “Uembli” ora 20:00. Pas dëmtimit të Bukajo Sakës, i cili pas një dëmtimi misterioz la grumbullimin dhe përveç ndeshjes kundër “Seleçaos”, do të humbasë edhe miqësoren e së martës kundër Belgjikës, “tre luanët” kanë në dyshim edhe përfshirjen e dy kapitenëve për ndeshjen e sotme, Herri Kejnit dhe Xhordan Hendersonit.

kane saka

Golashënuesi më i mirë i historisë u dëmtua me Bajernin e Mynihut në kavilje, kur u përplas me shtyllën në fitoren e skuadrës së tij kundër Darmshtadit. Kejn i humbi stërvitjet me grupin gjatë kësaj jave në “St George’s Park” pas një skaneri që bëri të hënën. Dhe pritet që golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave të kombëtares të mos jetë i gatshëm për të startuar kundër amerikanojugorëve këtë fundjavë, megjithëse ka shpresë se ai mund të rikthehet në ndeshjen e së martës kundër Belgjikës. Si Kejn, ashtu edhe zëvendëskapiteni Xhordan Henderson, munguan në stërvitjen e së premtes me skuadrën dhe nuk pritet që të rrezikohen nga trajneri Garet Sauthgejt në testin e sotëm.

Anglia nuk do të marrë ndonjë rrezik për gjendjen fizike të sulmuesit, veçanërisht duke pasur parasysh që të dyja ndeshjet janë miqësore. Nëse Kejn nuk është gati për të qenë titullar, atëherë Garet Sauthgejt pritet që t’ia besojë majën e sulmit kundër Brazilit, Ivan Tonejt ose Oli Uatkinsit. Sauthgejt punoi me një skuadër prej 23 lojtarësh përpara se Bukajo Saka të tërhiqej nga skuadra. Sulmuesi i Arsenalit raportoi në “St George’s Park” për një dëmtim dhe u kthye në klubin e tij të enjten, pasi nuk ishte në gjendje të merrte pjesë në stërvitje.

Anglia ka më pak se 90 ditë kohë që të përgatitet përpara nisjes së Kampionatit Europian kundër Serbisë në Gelzenkirshen të Gjermanisë. Ishullorët konsiderohen favoritë për të triumfuar për herë të parë në finalet e një Europiane dhe për t’i dhënë fund pritjes së tyre 58-vjeçare për një trofe të madh. Ata do të luajnë katër miqësore të tjera përpara se të ngrihet sipari i turneut më 16 qershor, duke e nisur me Brazilin sot në “Uembli”.

Ndonëse favorit për të ngritur trofeun, Sauthgejt pritet të bëjë disa prova në ndeshjet e mbetura përpara se të zgjedhë skuadrën e tij më të mirë në finalet e turneut. Sa i përket Brazilit, ata nisin epokën nën drejtimin e trajnerit të ri Dorival Zhunior, pas tri humbjeve radhazi kundër Uruguait, Kolumbisë dhe Argjentinës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"