“Çela i ka ndryshuar gjërat për mirë tek Kastrioti”, Ajazi: Fitore e çmuar ndaj Laçit, por të mos kalojmë në eufori

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 6, 2023 | 19:43

“Çela i ka ndryshuar gjërat për mirë tek Kastrioti”, Ajazi: Fitore e çmuar ndaj Laçit, por të mos kalojmë në eufori

Spartak Ajazi prej katër sezonesh luan për ngjyrat e Kastriotit. Ai është autor i dy golave këtë sezon, një për Kupë ndaj Tiranës 2-2 në Kamzë dhe një tjetër me vlere trepikshi, i shënuar ndaj Laçit në ndeshjen e fundit po në Kamzë, ku Kastrioti fitoi 2-1.

309475744_446924420750515_4867313582901562641_n

Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai shprehet i lumtur që goli vlejti tri pikë në fitoren aq të dëshiruar për momentin që skuadra po kalon. I pyetur në lidhje me këtë, Ajazi shprehet:

“Personalisht më gëzon fakti që ky gol na dha fitoren dhe vlejti tri pikë. Është një fitore që na vlen shumë, por duhet të pranoj që në ndeshjet e tjera duhet të bëja më shumë. Nuk kam bërë ndonjë gjë të madhe, sepse kaq nuk mjafton”.

30-vjeçari ka një karrierë të pasur në shumë klube në Shqipëri, teksa arma e tij më e fortë është loja në ajër, pasi e shfrytëzon në maksimum shtatlartësinë e tij. I pyetur nëse pas kësaj fitoreje te Kastrioti do të ndikojë ne ecurinë e mëtejshme në luftën për mbijetesë, Ajazi u shpreh: “Grupi i lojtareve pas kësaj fitoreje është më i motivuar. Të gjithë po punojmë të japim maksimumin duke mos kaluar në eufori pas një fitoreje. Po t’i marrim ndeshjet një e nga një me vlerësimin e duhur, kam besim se mund t’ia dalim”.

Sulmuesi flet edhe në lidhje me minutat e pakta që i janë vënë në dispozicion.

“Trajneri Çela është ai që rregullon 11-shen. Me ardhjen e Çelës gjërat kanë filluar të ndryshojnë për mirë. Unë do të jap maksimumin e mundshëm edhe sikur një minute të më jepet mundësia të aktivizohem”, përfundoi Ajazi.

SHKËLQIM HASANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"