Brazili nuk do të luajë me fanellën e verdhë kundër Anglisë, ka një arsye

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2024 | 11:50

Brazili nuk do të luajë me fanellën e verdhë kundër Anglisë, ka një arsye

Brazili nuk pritet të veshë fanellën e verdhë klasike kur të përballet me Anglinë në “Uembli” të shtunën. Pesë herë fituesit e Kupës së Botës janë në Londër, duke u stërvitur në kompleksin “London Colney” të Arsenalit, përpara miqësores së prestigjit të kësaj fundjave kundër skuadrës së Garet Sauthgejtit.

brazil

Por amerikano-jugorët janë të vendosur të veshin uniformën e tyre të dytë, një lëvizje kjo që ka të ngjarë të lërë të zhgënjyer tradicionalistët e futbollit. Fanella e verdhë dhe pantallonat blu është padyshim uniforma ikonë e rekordmenëve. Megjithatë, “Seleçao” pritet të luajë në blu (bluzë blu dhe pantallona të bardha), ndërsa Anglia me të bardhën e saj të famshme, ashtu si në çerekfinalen e Kupës së Botës 2002, kur Dejvid Siman u mposht nga Ronaldinjo, duke sjellë eliminimin e kombëtares së Sven Goran-Eriksonit.

Brazili e ka veshur të verdhën në “Uembli” në gjashtë takimet e tyre të mëparshme në stadiumin kombëtar, megjithëse ata kishin veshur blu kur u përballën me Anglinë në Londër në 1990: Geri Lineker shënoi për të siguruar një fitore 1- 0 për djemtë e Bobi Robsonit. Është e paqartë pse Brazili, i cili ka një partneritet afatgjatë me “Nike”, ka vendosur të mos veshë ngjyrat e tyre tradicionale këtë fundjavë, veçanërisht kur nuk ka përplasje të dukshme.

Por kompanitë e veshjeve sportive shpesh përdorin ndeshjet miqësore si një mundësi për të parakaluar dhe tregtuar fanella të ndryshme. Brazili dhe “Nike” publikuan uniformat e tyre më të fundit në fillim të javës, përpara Kupës së Amerikës të kësaj vere. Brazili do të përballet me Spanjën javën e ardhshme, ku mund të debutojë edhe me fanellën e re të verdhë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"