Bicaj kalon dëmtimin, mbrojtësi i Flamurtarit: Rigjejmë fitoren kundër Burrelit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2022 | 14:36

Bicaj kalon dëmtimin, mbrojtësi i Flamurtarit: Rigjejmë fitoren kundër Burrelit

Rikuperohet Ditmar Bicaj. Mbrojtësi ka kaluar dëmtimin që pësoi kundër Orikut dhe dje i është bashkuar grupit. Kujtojmë që ai pati një shembje në bërryl, por duket se nuk ka qenë edhe aq i rëndë. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, lezhjani thotë se është gati për të dhënë maksimumin për Burrelin.

bicaj

I jeni rikthyer stërvitjes. Kaloi dëmtimi?

Dëmtimin thuajse e kalova. Dje (të mërkurën) i jam bashkuar ekipit në stërvitje. Ndihem mirë dhe besoj se të dielën me Burrelin do të jem në dispozicion të skuadrës. Në këto kushte, dua që tani të rikthehem për të dhënë më të mirën, pasi duhet të arrijmë objektivin që kemi. Falë Zotit kaq ishte, nuk kishte ndonjë gjë serioze, tani jam gati.

Pas fitoreve, Flamurtari u ndal në barazim me Skënderbeun. Të kënaqur me këtë rezultat?

Në Korçë do të thosha se ishte një pikë me shumë vlera. Por tani na duhet që ta vazhdojmë më tej ecurinë pozitive. Mendoj se me pak kujdes mund ta fitonim ndeshjen. Duke parë që në pjesën e dytë ishim më kërkues dhe kishim më shumë hapësira, mund të kishim marrë edhe më shumë, por megjithatë edhe barazimi na kënaq. Megjithatë, më kënaq fakti që reaguam shumë shpejt pas pësimit të golit.

Si dukej ndeshja nga tribuna?

Normalisht doja shumë të isha në fushën e lojës, sepse ishte një ndeshje me aromë Superioreje. Por për fat të keq, për arsye dëmtimi që në ndeshjen e fundit me Orikun, nuk mund të isha pjesë e këtij takimi. Megjithatë, nuk mungova në stadium. E ndoqa ndeshjen me emocion. Një takim që ia vlente ta shikoje, i luftuar dhe i bukur.

Jeni në vend të parë, por me Dinamon që ka pikë sa edhe ju. Kush do të jetë kampion këtë sezon?

Jemi në vend të parë. Objektivi ynë është të jemi kampionë të Kategorisë së Parë. Por na duhet të punojmë shumë dhe të jemi seriozë në çdo seancë stërvitore, në mënyrë që të jemi gjithmonë një hap më lart se rivalët tanë.

Të dielën luani me Burrelin në Vlorë. Çfarë prisni?

Po, e vërtetë. Në ndeshjen e radhës presim Burrelin në Vlorë. Kundërshtari është një ekip që luan shumë mirë futboll. Është një ekip që meriton respekt. Por ne kemi objektivat tanë dhe kemi synimet tona. Në çdo takim, pavarësisht kundërshtarit, futemi për të marrë tri pikët.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"