Berisha debuton dhe bind me Lacion në Ligën e Europës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2013 | 8:40

Berisha debuton dhe bind me Lacion në Ligën e Europës

SS Lazio v Apollon Limassol FC - UEFA Europa LeagueEtrit Berisha ka debutuar me fitore te Lacio, kur kanë mundur 2-1 Apollon Limasolin e Isli Hidit në Ligën e Europës. Portieri i kombëtares kuqezi dhe kapiteni Lorik Cana kanë luajtur për 90 minuta, duke qenë protagonistë në suksesin e klubit italian. Ndërkohë, gardiani shqiptar i klubit qipriot e ka ndjekur ndeshjen nga stoli, pasi titullar luajti Bruno Vale. Vendësit e nisën lojën me vrull, duke tentuar një gol të shpejtë, i cili nuk mungoi. Keita pasoi për Flokarin brenda zonës në minutën e 13-të, që nuk dështoi për ta dërguar topin në rrjetë dhe për t’i dhuruar avantazhin skuadrës. Ishte sërish sulmuesi italian që vulosi edhe suksesin e ekipit, duke gjetur rrugën e rrjetës në të 36-ën minutë. Këtë herë goditi bukur me kokë, një krosim të ardhur nga goditja e këndit. Gjithsesi, Apolloni mbajti gjallë shpresat për një rezultat pozitiv, pasi vetëm dy minuta më pas ishte Papulis që ngushtoi diferencën. Duke përfituar nga një pozicionim i gabuar i Canës, greku gjuajti fort në diagonale dhe ndëshkoi Berishën në gjuajtjen e parë në kuadrat.
Pjesa e dytë Lacio e uli ritmin e lojës, duke tentuar që të ruajë avantazhin dhe të përfitojë nga gabimet e kundërshtarit. Gjithsesi, pa shumë qartësi në aksionet sulmuese, nuk arritën të rrezikojnë ndjeshëm portën e Bruno Vales. Nga ana tjetër, qipriotit provuan të surprizojnë dhe në minutën e 68-të patën një rast të artë për të barazuar, por Pupklis i vetëm përballë Berishës nuk arriti të shënojë, pasi portieri shqiptar realizoi një pritje të mrekullueshme. Një fitore tepër e rëndësishme e ekipit të Petkoviçit, i cili hedh një hap të rëndësishëm për kualifikimin në raundin tjetër të Ligës së Europës dhe rigjen qetësinë e munguar, pas një starti negativ të sezonit.

“Jam shumë i kënaqur nga Berisha”
Trajneri i Lacios, Vladimir Petkoviç, nuk i ka kursyer përgëzimet për portierin shqiptar Etrit Berisha. “Ishte ndeshja e parë, por zhvilloi një paraqitje mjaft të mirë. I sigurt dhe vendimtar me pritjet e tij. Është i ri dhe shumë i talentuar”, deklaroi tekniku boshnjak. “Morëm tri pikë të rëndësishme ndaj Apollon Limasolit, por duhet të kishim siguruar një fitore më të thjeshtë. Vuajmë ende gabimet individuale. Falënderoj Radun dhe Konkon që ishin në dispozicion të skuadrës për këtë ndeshje. Shpresoj që pas grumbullimeve me kombëtaret, të kem një ekip në formë më të mirë fizike”, përfundoi Petkoviç.

Vangjeli dhe Kaçe nuk grumbullohen
Çernomoretsi i dy shqiptarëve, Kristi Vangjeli dhe Elis Bakaj, ka marrë një pikë në transfertë ndaj bullgarëve të Ludogorets. Në fakt, asnjë prej tyre nuk ka qenë i grumbulluar, por mesfushori për shkak se është i dëmtuar. Kuiksada kaloi në avantazh Ludogoretsin, por ishte Gai ai që evitoi humbjen për ekipin ukrainas, që në Ligën e Europës eliminoi edhe Skënderbeun. Ndërkohë, Ergys Kaçe vazhdon të vuajë te grekët e PAOK-ut, pasi edhe në transfertën e djeshme kundër Makabi Haifas nuk ka qenë pjesë e lojtarëve që mori vete trajneri Hub Stivens.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"