Beqja jashtë dhe Faust në dyshim, Teuta përgatit revanshin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2024 | 23:27

Beqja jashtë dhe Faust në dyshim, Teuta përgatit revanshin

Teuta, pas eliminimit nga Kupa nuk ka luajtur më, pasi ndeshja ndaj Dinamos, u anulua për shkak të kushteve atmosferike. Teuta dhe Partizani do të duelojnë mes tyre për llogari të javës së 28-të të Superiores.

teuta

“Djemtë e detit” kërkojnë të dalin nga zona e ftohtë e renditjes. Mungesa e vetme e sigurt është ajo e Ledio Beqjes, i cili është i pezulluar për shkak se ka plotësuar numrin e 4 kartonëve të verdhë. Nga ana tjetër, sulmuesi argjentinas, Rodrigo Faust ka vuajtur probleme fizike gjatë ditëve të fundit dhe është në dyshim për sfidën e nesërme.

Gjithsesi, opsionet për trajnerin Edi Martini nuk mungojnë dhe ende në Durrës ka dyshime në lidhje me 11-shen që shkodrani do të hedhë në fushë. Sa i përket mesfushës, opsionet nuk mungojnë, me Dajën dhe Llocin si mesfushorë qendre dhe Arifi fantazist. Në seancën e fundit stërvitore do të shuhen dilemat e fundit për formacionin anti-Partizani për Teutën, që vjen në këtë sfidë e motivuar dhe gati.

PËRGATITJET – Teuta s’ka kohë për të humbur dhe vijon përgatitjet për ndeshjen me Partizanin. Stërvitja e djeshme, e zhvilluar në aneksin e stadiumit “Niko Dovana”, për dyshen Martini-Hodo kishte të bënte më së shumti me rigjetjen e ritmit dhe dobësive të treguara në seancat e mëparshme.

Pasdite, me ndarjen e lojtarëve në grupe dhe formacioneve të përziera, Martini u kërkoi të tijve përqendrim dhe përpikmëri në zbatimin e detyrave tekniko-taktike. Skuadra punoi me një seancë të kombinuar për akumulim të forcës, kondicionit fizik, pa lënë pas pjesën teknikotaktike.

Në stërvitje ishin të gjithë futbollistët, ku vlen të theksohet se skuadrës i janë bashkangjitur edhe Fili, Lloci dhe Arifi, të cilët në ditët e shkuara kanë punuar të veçuar nga pjesa tjetër e grupit. Në fund Martini i ndau lojtarët në dy grupe dhe organizoi një ndeshje kontrolli në gjysmëfushë, njëkohësisht me ndalime të shumta dhe udhëzime.

Pas përfundimit të ndeshjes së kontrollit, lojtarët u ndanë në dy grupe. Disa po zhvillonin goditje nga larg për në portat e vogla, kurse në grupin e tretë Kotobelli dhe Beqja u shfaqën si ekzekutues të goditjeve nga këndi për t’u shërbyer sulmuesve të ekipit.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"