BASKETBOLL/ Paraeliminatoret e Botërorit, Shqipëria mundet ngushtë në Armeni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2024 | 21:16

BASKETBOLL/ Paraeliminatoret e Botërorit, Shqipëria mundet ngushtë në Armeni

Shqipëria ka nisur sot rrugëtimin e saj në paraliminatoret e Kampionatit Botëror 2027 pwr basketboll, teksa ka zhvilluar ndeshjen e saj të parë në Grupin C. Ndonëse bënë një paraqitje të mirë, duke luftuar deri në fund, kuqezinjtë u mposhtën në Jerevan nga Armenia me rezultatin e ngushtë 84-79.

WhatsApp Image 2024-02-25 at 9.00.35 PM

Një takim në të cilin Kombëtarja e Erkand Karajit ishte në lojë deri në fund, por disa gabime në shënjestër në momentet decizive rezultuan vendimtare për fatet e ndeshjes. Takimi i luajtur në Jerevan nisi me një minutë heshtje në nderim të 16-vjeçarit, Alteo Hyseni, ish-lojtar me moshat, i cili humbi jetën në mënyrë tragjike të shtunën në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë.

NDESHJA – Trajneri Erkand Karaji, ndeshjen e tij debutuese në drejtimin e Shqipërisë e startoi me këtë formacion: Lekndreaj, Hysa, Hamati, Dusha dhe Hysenagolli. Sfida nisi me 2 pikët e para të armenëve, të cilëve iu kundërpërgjigj menjëherë Lekndreaj me koshin e parë kuqezi. Shqipëria fillimisht ishte e organizuar mjaft mirë në lojën e saj, duke shkuar deri në +7 pikë avantazh. Por në 3 minutat e fundit të periodës së parë vendësit rikuperuan për ta fituar periodën me rezultatin minimal 24-23.

Me rikthimin në parket kuqezinjtë e morën veten, duke kaluar përsëri në +6 pikë përpara, 30-36, por më pas armenët reaguan, teksa e morën periodën e dytë 24-19, duke shkuar në pushimin mes dy pjesëve me epërsinë e përgjithshme 48-42. Në çerekun e tretë Shqipëria e përmirëson ndjeshëm lojën mbrojtëse dhe arrin të fitojë terren. Kuqezinjtë e marrin këtë fraksion 14-17, ndërsa pas 30 minutash rezultati në tabelë shënon 62-59 për armenët. Me rikthimin në parket Armenia paraqitet më mirë, teksa nis edhe shkëputjen, duke shkuar në +10 pikë, 77-66. Por me disa kosha radhazi nga Hamati, Hysa dhe Lilaj Shqipëria afrohet në 2 pikë, 77-75, kur kanë mbetur rreth 2 minuta nga sirena finale.

Loja merr një rrjedhë tepër interesante, por vendësit tregohen më të qartë, ndërsa Kombëtarja jonë gabon disa tentativa për 3 pikë, ndërsa gjithçka mbyllet 84-79 për armenët, të cilët marrin fitoren e parë në paraeliminatore, pasi ishin mundur në takimin e tyre të parë nga Austria 106-91.

Për sa u përket paraqitjeve individuale, në radhët e Shqipërisë vetëm 3 lojtarë mbërritën në kuotë dyshifrore pikësh, Daniel Lekndreaj (19), Julian Hamati (16) dhe Elvisi Dusha (15), ndërsa Frenki Lilaj regjistroi shifrën më të lartë të kërcimeve, 10. Lojtari i ndeshjes u shpall Andre Spight, protagonist me 31 pikë, 6 kërcime dhe 4 asistime për armenët. Shqipëria do të rikthehet në parket më 21 nëntor për ndeshjen e dytë në grup, teksa do të ketë përballë Austrinë.

WhatsApp Image 2024-02-25 at 9.00.32 PM

ARMENI – SHQIPËRI  84-79
(24-23, 24-19, 14-17, 22-20)

ARMENIA: Tatevosyan (11), Jones (22), Zargaryan (7), Spight (31), Tavitian (10)/ Mkrtumyan (3), K.Melikyan, Y.Melikyan, Mikayelyan. Në dispozicion: Mikaelyan, Gevorgyan. Trajner: Alexander Zampier

SHQIPËRIA: Hamati (16), Dusha (15), Lekndreaj (19), Hysenagolli (6), Hysa (7)/ Lilaj (6), Taflaj (6), Tola (4), Strazimiri. Në dispozicion: Prodani, Hajdari, Memçaj. Trajner: Erkand Karaj

Gjyqtarë: C. Stoica (Rumani), Z.Mitrovski (Maqedoni e V.), E.Tsolakos (Greqi),
Komisioner: T.Kudlicki (Poloni)

BOTËRORI 2027
PARAELIMINATORET
KALENDARI
25 SHKURT
ARMENI – SHQIPËRI   84-79

21 NËNTOR
SHQIPËRI – AUSTRI     17:00

20 SHKURT 2025
SHQIPËRI – ARMENI   17:00

23 SHKURT 2025
AUSTRI – SHQIPËRI     17:00

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"