BASKETBOLL/ Derbi është bardheblu, Tirana dominon Partizanin. Teuta “zbërthen” Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2024 | 9:18

BASKETBOLL/ Derbi është bardheblu, Tirana dominon Partizanin. Teuta “zbërthen” Vllazninë

Të shtunën dhe të dielën janë zhvilluar ndeshjet e javës së 14-të të kampionatit kombëtar në basketbollit për meshkuj. Një javë që rezervonte takime interesante, teksa spikaste derbi i kryeqytetit ndërmjet Tiranës dhe Partizanit.

TR

Bardheblutë vijojnë traditën e dominimit të dekadave të fundit ndaj skuadrës më të titulluar të basketbollit shqiptar, teksa shënuan fitoren e radhës. Në ndeshjet e tjera spikat suksesi i Teutës kundër Vllaznisë në Durrës, si dhe triumfi i Apolonisë kundër Kamzës. Fitore të thella regjistruan edhe Flamurtari në shtëpi ndaj Fierit si dhe Elbasani në transfertë kundër Skënderbeut. Ndërkohë Besëlidhja, kryesuesja me pikë të plota e kampionatit, këtë javë qëndroi pushim. Tashmë pas 14 javës duket se po merr formë edhe “play off”-i si dhe Superliga e sezonit të ardhshëm, me gjashtëshen e parë të ekipeve që ka krijuar shkëputje nga pesëshja që mbyll tabelën.

KAMPIONËT S’FALIN NË DERBI – Tirana nuk e pati aspak të vështirë për të shënuar suksesin e radhës në derbi. Bardheblutë e Erkand Karajit triumfuan me rezultatin e thellë 103-77 (26-10, 23-27, 24- 27, 30-13) kundër Partizanit në sfidën e zhvilluar të shtunën në “Farie Hoti”. Ndeshja u hap me 5 pikët e para nga ekipi e Erdal Borovës, por më pas diferencën në parket e bëri kualiteti i kampionëve në fuqi, me Tiranën që dominoi në çdo aspekt, duke e mbyllur me sukses treshifor. Një fitore që i ngjit 21 herë kampionët në vend të dytë, ndërsa të kuqtë 33 herë kampionë, vijojnë sezonin e vështirë, teksa pozicionohen në vend të tetë. Plot shtatë lojtarë për Tiranën prekën kuotë dyshifrore pikësh, ndërsa rendimentin më të lartë e kishte Endrit Hysenagolli, protagonist me 16 pikë e 12 kërcime. Për Partizanin nuk mjaftuan paraqitja super e Brown, MVP me 23 pikë, 14 kërcime dhe 6 asistime si dhe 27 pikët nga Major, shënuesi më i mirë i ndeshjes.

ZGJOHEN DURRSAKËT – Teuta ka lënë pas momentin negativ me dy humbje radhazi në kampionat, teksa është rikthyer të fitoret, duke mposhtur Vllazninë në “Ramazan Njala” me rezultatin 92-73 (21-19, 21-22, 25-19, 25- 13). Pas një pjesë të parë të ekuilibruar, bregdetarët e bënë diferencën në gjysmën e dytë të takimit. Nga ana tjetër Vllaznia, e cila vinte nga euforia e triumfit të një jave më parë ndaj Tiranës, nuk mundi të mbante ritëm të lartë gjatë të gjithë sfidës, teksa loja e kuqebluve erdhi në rënie, sidomos në periodën e katërt. Pikëshënuesi më i mirë i takimit ishte shkodrani Memçaj, i cili e ndëshkoi ish-skuadrën e tij me plot 29 pikë. Gjithashtu për Teutën shkëlqeu edhe amerikani Bacon, MVP me 27 pikë, 10 kërcime dhe 7 asistime. Te Vllaznia spikatën Wilkins me 26 pikë dhe 9 kërcime si dhe Saab me 19 pikë, 6 kërcime dhe 5 asistime.

APOLONIA SURPRIZON KAMZËN – Skuadra fierake ka marrë dje një fitore shumë të rëndësishme një ekipi pretendent si Kamza. Apolonia e shfrytëzoi më së miri faktorin fushë, teksa triumfoi në shtëpi në shifra të thella 95-70 (20-25, 19-10, 34-18, 22- 17). Vendësit ishin dominues në të katërta periodat. Njeriu i ndeshjes ishte Hamilton, protagonist me 34 pikë, 5 kërcime dhe 7 asistime për fierakët, i mbështetur nga Jones me 19 pikë, 18 kërcime dhe 5 asistime. Kamzës nuk i mjaftoi Hajdari, autor i 12 pikëve, 11 kërcimeve dhe 4 asistimeve si dhe Keyes me 19 pikë e 8 kërcime.

ELBASANI ZHYT SKËNDERBEUN – Siç edhe pritej për Elbasanin transferta e Korçës kundër Skënderbeut të vendit të fundit rezultoi një formalitet. Verdheblutë fituan me rezultatin e thellë 74-96 (16-22, 14-31, 17-25, 27-18). Miqtë e dominuan ndeshjen, ndërsa MVP u shpall Samuel Skëndaj me 29 pikë dhe 22 kërcime. Për korçarët më i miri ishte Gjikas me 14 pikë, 9 kërcime e 7 asistime.

REAGOJNË VLONJATËT – Pas tri humbjeve radhazi Flamurtari është rikthyer te fitoret dhe këtë e ka bërë duke mundur thellë Fierin në shtëpi. Vlonjatët triumfuan me rezultatin 86-66 (20-14, 24-20, 26-14, 16-18) në një ndeshje të udhëhequr gjatë të gjithë kohës, duke shkuar deri në 31 pikë avantazh. Vlerësimin MVP e meritoi Kollovi, autor i 24 pikëve, 13 kërcimeve dhe 4 asistimeve për Flamurtarin. Për Fierin spikati Dunnally me 24 pikë dhe 10 kërcime.

12

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"