BASKET/ Vllaznia surprizon Tiranën, Apolonia shkëlqen ndaj Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2024 | 16:40

BASKET/ Vllaznia surprizon Tiranën, Apolonia shkëlqen ndaj Teutës

Me ndeshjen e mbrëmshme ndërmjet Vllaznisë dhe Tiranës është kompletuar java e 13-të në kampionatin kombëtar të basketbollit për meshkuj.

WhatsApp Image 2024-02-05 at 16.40.31

Të mbështetur nga tifozëria e zjarrtë shkodrane, kuqeblutë e Damian Bekteshit bënë një paraqitje të shkëlqyer duke i mundur kampionët në fuqi me rezultatin 83-77 (22-14, 20-19, 13-26, 28-18).

Një ndeshje mjaft e bukur, me përmbysje dhe ri-përmbysje, ndërsa në fund ishin vendësit ata që festuan. Kjo ishte fitorja e nëntë në kampionat për Vllazninë, sukses që i mundëson shkodranëve edhe parakalimin ndaj Tiranës, duke i ngjitur në vend të tretë, në kuotë të barabartë pikësh me Kamzën e vendit të dytë.

I gjithë formacioni i vendësve e mbylli në dopioshifër pikësh, ndërsa më i miri ishte Tucker me 23 pikë, 8 kërcime dhe 5 asistime. Për Tiranën nuk mjaftoi Hysenagolli, autor i 18 pikëve dhe 20 kërcimeve.

01

NDESHJET E TJERA

Teuta vijon momentin negativ në këtë gjysmë të dytë të sezonit, teksa të shtunën ndaj Apolonisë pësoi humbjen e dytë radhazi dhe të pestën gjithsej në kampionat. Fierakët morën një sukses me vlera për zonën “play off” dhe për qëndrimin në elitë, duke triumfuar në pallatin e sportit “Ramazan Njala” me rezultatin 78-83 (17-24, 20-13, 23-26, 18-20), në një takim tepër interesant dhe të luftuar deri në fund.

Miqtë bënë më mirë në tri perioda, me përjashtim të periodës së dytë, duke dalë më fitoren e merituar. Dyshja amerikane Jones-Hamilton spikatën në lojën e Apolonisë, me të parin që u shpall MVP i takimit duke regjistruar 28 pikë, 20 kërcime dhe 4 asistime, ndërsa i dyti realizoi 21 pikë, 12 kërcime e 7 asistime. Për Teutën edhe në këtë ndeshje më i miri ishte amerikani Bacon me 23 pikë, 3 kërcime dhe 6 asistime.

02

Gjithçka e thjeshtë për Partizanin në sfidën ndaj korçarëve të vendit të fundit. Kështu 33 herë kampionët e Shqipërisë mundën Skënderbeun me rezultatin treshifror 117-83 (31-17, 33- 12, 27-22, 26-32) në takimin e luajtur të shtunën në “Asllan Rusi”.

Skuadra e Erdal Borovës nuk e vendosi për asnjë moment në diskutim fitoren, ndërsa diferencën në parket e bëri treshja amerikane. Teclemariam shënoi 30 pikë dhe 13 kërcime, Brown e mbylli sfidën me 25 pikë e 9 kërcime, ndërsa Major me 23 pikë e 7 asistime. Në radhët e korçarëve në dopioshifër pikësh mbërritën Topi me 20, Habip me 18 dhe Prenda me 15.

03

Pas tetë humbjesh radhazi Elbasani është rikthyer te fitoret, teksa kaloi me sukses përballjen në transfertë ndaj Fierit, sfidë e zhvilluar në Vlorë. Verdheblutë triumfuan me rezultatin 78-85 (20-18, 19-22, 16-23, 23-22) në një ndeshje të luftuar. Kapiteni Çela me 31 pikë dhe 16 kërcime si dhe Bruno Skëndaj me 29 pikë udhëhoqën miqtë në këtë ndeshja, ndërsa për Fierin nuk mjaftuan amerikanët Anyanwu (38 pikë) dhe Lee Dunnally (19 pikë, 16 kërcime).

04

Kujtojmë se të premten në takimin hapës të javës, Besëlidhja kryesuese mposhti Kamzën në transfertë në shifrat 61-86.

05

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"