BASKET/ “Masat ndaj dhunës do të jenë të rrepta”, rrëfehet presidenti Avni Ponari: Jo më shumë se 3 të huaj në fushë, kështu rritet niveli
Jo vetëm futbolli, por edhe basketbolli bëhet gati për të ngritur siparin e sezonit të ri. Dhe kush tjetër veç Avni Ponarit zbardh të gjitha ndryshimet që do të ketë gara dhe struktura e skuadrave. Gjatë një interviste ekskluzive të dhënë për “Panorama Sport”, presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit rrëfehet për gjithçka.

Vendimin për uljen në tre të numrit të lojtarëve të huaj në parket, vendim që disa klube, sipas Ponarit, nuk e kanë pritur mirë, megjithatë qëllimi është që t’u jepet prioritet sportistëve shqiptarë. Rivalitetin e shikon të ashpër këtë vit, në të cilën do të sfidohen 12 skuadra, të cilat një sezon më vonë do të shkurtohen menjëherë në 6.
Ndërkohë, tjetër temë është dhuna në parket, e cila do të ketë ndëshkime shumë më të ashpra sesa në të kaluarën… Dhe të gjitha këtyre temave të nxehta, zoti Ponari iu dha përgjigje, teksa ka ndjekur nga afër grumbullimin e moshave U-18 në Vlorë në kuadër të eliminatoreve të Europianit.
Atmosfera ka qenë aq mikpritëse në qytetin bregdetar, sa presidenti i FSHB-së zbuloi se ndihet edhe ai pak vlonjat, pasi e lidhin shumë gjëra me këtë qytet, në të cilin Ponari zbulon se ka ndjekur edhe shkollën e lartë në Vlorë.
Zoti Ponari, cilat janë ndryshimet thelbësore që do të pësojë kampionati i basketbollit në sezonin e ri?
Ajo që është e rëndësishme dhe që është përkrahur nga komuniteti i basketbollit, është rritja e numrit të lojtarëve shqiptarë në parket, pasi nga ky sezon e në vazhdim nuk do të lejohen më tre lojtarë të huaj në fushë. Kjo do të bëjë që të kemi më shumë shqiptarë si protagonistë.
Mendoni se kemi elementë të mjaftueshëm shqiptarë?
Në fakt unë i privohem asaj që sa do të jemi ne në gjendje të prodhojmë lojtarë shqiptarë. Por këtë vit vëmë re që ekipet e grupmoshave U16 kanë qenë shumë, mbi 16 ekipe. Kjo do të thotë që do të kemi 16 në të gjithë zinxhirin e moshave, por ndoshta edhe një kombëtare dhe shumë elementë të mirë.
Sivjet kampionati do të pësojë edhe ndryshimin në numrin e skuadrave që do të marrin pjesë në garë, keni një koment?
Kjo është shumë e rëndësishme. Kampionati do të zhvillohet me të gjitha ekipet. Nuk do të ketë dy liga, por një të vetme. Kjo do të bëjë që rivaliteti të jetë shumë i ashpër. Normalisht 6 të dytat do të zbresin sërish në grupin e dytë, për t’iu rikthyer dy kategorive nga sezoni 2024-2025.
Pse u ndërmor ky ndryshim?
Kjo bëhet për të krijuar mundësinë që t’i aktivizojmë të gjithë dhe të shikojmë se çfarë arrijmë me ndryshimet që bëmë në rregullore. Dhe jo më kot zbritëm në tre numrin e lojtarëve të huaj në fushë, pasi vetëm kështu mund të kuptojmë më qartë se çfarë efektesh pozitive do të kemi për perspektivën.
Si janë pritur këto ndryshime nga skuadrat dhe klubet e ndryshme?
Një pjesë e kanë pritur mirë. Rrethet që prodhojnë lojtarë vetë e kanë pritur mirë. Ata që nuk prodhojnë nuk kanë qenë shumë të kënaqur, duke qenë se duan të investojnë te të huajt për të sjellë menjëherë cilësi. Gjithsesi, unë mendoj se me këtë ndryshim tani e në vazhdim do të rriten edhe pagat e lojtarëve vendës, jo vetëm atyre të huaj.
Po në 2024-2025 si do të funksionojë skema?
Në sezonin 2024-2025 do të jetë me 6 ekipe, jo me 12 si këtë vit. Këtë vit pres një rivalitet të madh se kush do të qëndrojë në 6-she dhe pastaj do të ketë një garë me këtë standard edhe në ligën e dytë.
Do të kemi ndryshime në Ligën Unike?
Liga Unike do të jetë shumë interesante. Nuk ka më me dëshirë. Duhet të marrin pjesë të gjitha ekipet, nëse ke qenë fitues i katër vendeve të para. Nëse do të ketë arsye të forta mund të largohet. Liga Unike nuk do të ketë ndryshime. Do të jenë të njëjtat standarde. Vjet e fitoi Partizani. Shpresojmë që ta fitojë sërish një ekip nga Shqipëria. Por gjithsesi shpresojmë që të jetë e fortë në të gjitha nivelet.
Kemi parë skena dhune në basketbollin e femrave këtë sezon. Do të kemi ashpërsime të masave?
Masat e ndërmarra kundër dhunës do të jenë shumë të rrepta. Për lojtarët do të ketë masa tepër të rënda. Edhe për sjelljet e trajnerëve masat do të jenë të rënda.
Përjashtim të ekipeve do të kemi?
Ne nuk mendojmë se do të shkojmë deri në të tilla nivele dhe shpresojmë që kjo të mos ndodhë kurrë.
Cili është qëllimi i vizitës suaj në Vlorë?
Falënderoj Bashkinë e Vlorës, Klubin Shumësportësh, që krijuan mundësinë e akomodimit të dy ekipeve kombëtare për t’u përgatitur për eliminatoret e Europianit për moshat. Ky është një aktivitet që ka pesë vite që ka filluar. Është garë shumë e rëndësishme dhe sivjet interesimi ishte tepër i madh për të qenë pjesë në ekipet kombëtare. Të veshësh bluzën e kombëtares që nga moshat 16 vjeç e lart do të thotë se ti ke marrë një përgjegjësi shumë të madhe dhe për këtë duhet përgjegjësi e madhe. Ne shpresojmë të kemi rezultate të mira, pasi U-18 e vajzave do të jetë e grumbulluar në Durrës dhe është një nga aktivitetet e rëndësishme. Kemi 6 ekipe kombëtare tashmë në të gjithë Shqipërinë, por Vlora është kampione, pasi ka tërhequr dy ekipe të rëndësishme U-18 për femra dhe meshkuj.
Kemi elementë që premtojnë për të ardhmen e basketbollit?
Ajo që duhet theksuar kësaj radhe është se kemi shumë djem dhe vajza që kanë ardhur nga ekipet e huaja si nga Greqia, Italia, Holanda, Anglia dhe Amerika. Ata kanë preferuar të luajnë me Shqipërinë. Kjo është sakrificë e tyre, por edhe nder për ne, pasi sjellin eksperiencën nga këto vende të zhvilluara.
Flamurtari i futbollit është në luftë me federatën, Flamurtari i basketbollit në paqe, keni një koment?
Unë e dua Vlorën pasi rininë e kam kaluar në Vlorë. Më duket sikur jam në shtëpinë time, kështu që vij në Vlorë njësoj sikur shkoj aty ku kam lindur. Universitetin e kam mbaruar në Vlorë. Kështu që e ndiej veten pak si vlonjat, pavarësisht nëse vlonjatët më ndiejnë mua apo jo të tillë (qesh)… Unë me të gjithë që kanë qenë në Vlorë, drejtues të sportit dhe basketbollit në veçanti i kam pasur dhe i kam marrëdhëniet shumë të mira. Sporti është bashkim njerëzish dhe jo shpërndarje e tyre.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL













