BASKET FEMRA/ Partizani e nis vitin me tri shifra, mposht thellë Elbasanin në Kupë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 13, 2024 | 11:40

BASKET FEMRA/ Partizani e nis vitin me tri shifra, mposht thellë Elbasanin në Kupë

Me ndeshjen hapëse të çerekfinaleve ndërmjet Partizanit dhe Elbasanit dje ka nisur Kupa e Shqipërisë në basketboll për femra. Asnjë surprizë në këtë përballje, teksa të kuqet e Eliverta Bujarit nuk falën në “Asllan Rusi”, duke siguruar kalimin për në gjysmëfinale.

partizani elbasani basket femra

Një takim pa shumë histori, i dominuar tërësisht nga Partizani, që e fillon vitin me fitore të thellë në shifrat 103-50. Kryeqytetaset, të cilat janë edhe ndër favoritet kryesore në të gjithë kompeticionet kombëtare, nuk e patën të vështirë ndaj një ekipi me vajza të reja në moshë si Elbasani.

Partizani u tregua superior në të katërta periodat, duke e thelluar gradualisht avantazhin për t’a mbyllur me +53 pikë diferencë takimin. Samra Ombersaçit realizoi 2 pikët e para për Partizanit që në aksionin e parë të takimit, ndërsa Afori Zyba barazoi në 2-2. Por më pas nisi dominimi i vendëseve, të cilat e fituan 10-minutëshin 34-9.

Edhe çereku i dytë u kontrollua nga të kuqet, të cilat fituan 21-14, duke shkuar në pushimin ndërmjet dy pjesëve me avantazhin e përgjithshëm 55-23. Edhe më perioda e tretë ishte e ngjashme me atë paraardhëse, me Partizanin që fitoi 20-14, duke u shkëputur në 75-37 pas 30 minutash lojë.

Çereku i katërt nuk ndryshon asgjë, përkundrazi e rrit edhe më tej epërsinë e kryeqytetaseve, të cilat fitojnë 28-13 dhe hipotekojnë kualifikimin për në gjysmëfinale.

Sanra Omerbasiç me 20 pikë dhe 7 kërcime ishte lojtarja me rendimentin më të lartë në këtë takim, ndërsa trajnerja Bujari përdori rotacion të gjerë duke u dhënë hapësira edhe lojtareve të stolit. Për Elbasanin spikati Dea Sali, autore e 20 pikëve dhe 6 kërcimeve.

01

Çerekfinalet e Kupës do të kompletohen sot me tri përballjet e mbetura, duke nisur nga 12:00 me derbin Tirana-Studenti, për të vijuar në orën 13:00 me ndeshjen Flamurtari-Barleti dhe më pas në orën 16:00 në Shkodër do të luhet sfida Vllaznia-Teuta.

Fituese në fuqi i Kupës është Flamurtari, ndërsa rekordin në këtë kompeticion e mban Tirana me 26 suksese.

02

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"