BASKET FEMRA/ Festë bardheblu në Ligën Unike, Tirana gjunjëzon Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2024 | 14:23

BASKET FEMRA/ Festë bardheblu në Ligën Unike, Tirana gjunjëzon Partizanin

Liga Unike e femrave vijon me kalendarin e sfidave të sezonit të rregullt, teksa dje janë luajtur dy ndeshje të vlefshme për javën e tretë në kompeticionin mbarëkombëtar të basketbollit me klube nga Shqipëria dhe Kosova. Tirana ka marrë një fitore mjaft të bukur përballë Partizanit në derbin e zhvilluar në sallën “Farie Hoti”.

tirana

Vajzat bardheblu bënë një paraqitje të shkëlqyer duke triumfuar me rezultatin 88-82 ndaj fitueseve në fuqi të Ligës Unike. Ashtu sikurse pritej, derbi rezultoi interesant, por Tirana u tregua më e saktë, duke kryesuar në pjesën më të madhe të kohës, për të marrë edhe suksesin e merituar.

Vendimtare në triumfin e skuadrës së Mirza Alibegajt rezultoi perioda e tretë e takimit. Kështu sfida nisi menjëherë me rivalitet, por Tirana kishte efikasitet më të lartë në lojë, për ta fituar periodën e parë 23-19.

Të kuqet e Eliverta Bujarit e rritëm ritmin në çerekun e dytë, për ta fituar 10- minutëshin 16-21, duke shkuar në pushimin ndërmjet dy pjesëve me epërsinë minimale 39-40 në shifra të përgjithshme. Por me rikthimin në parket, skuadra bardheblu e përmirëson lojën, ndërsa Partizani nuk ka rendimentin e duhur në sulm.

Kështu, Tirana e fiton periodën e tretë 22-11, duke kryesuar me 10 pikë, 61-51, pas 30 minutash lojë. Në periodën e fundit të dyja ekipet kanë ritëm të shkëlqyer në sulm, me Partizanin që provon të reagojë. Të kuqet e fitojnë këtë fraksion 27-31, por suksesi në shifra të përgjithshme i takon Tiranës me 6 pikë avantazh, 88-82.

Kjo ishte fitorja e dytë në këtë edicion të Ligës Unike për Tiranë, ndërsa Partizani pësoi disfatën e tretë në po kaq takime të zhvilluara.

Për sa u përket paraqitjeve individuale, Aida Palko ishte vendimtare në triumfin e Tiranës. Basketbollistja gjirokastrite vijon të mos e ndjejë peshën e viteve, duke treguar rendiment të shkëlqyer në parket. Ndaj Partizanit Palko regjistroi 25 pikë, 9 kërcime dhe 3 asistime, ndërsa spikatën edhe Enisa Qosja me 25 pikë si dhe Oyanaisy Gonzales me 9 pikë e 15 asistime.

Për t’u veçuar ishte edhe aktivizimi i të pesta lojtareve të formacionit për 40 minuta, me trajneren Alibegaj që nuk realizoi asnjë zëvendësim. Ndërkohë për Partizanin nuk mjaftoi kapitenia Ornela Lalaj, MVP e ndeshjes me 23 pikë, 12 kërcime dhe 4 asistime.

01

Në takimin tjetër të zhvilluar dje, Bashkimi fitoi kundër Prishtinës me rezultatin 54-51 (15- 17, 9-5, 20-11, 10-18), pas një loje të luftuar deri në sekondën e fundit.

Ky ishte suksesi i tretë për vajzat prizrenase, të cilat mbetet të pamposhtura, duke kryesuar renditjen, ndërsa për prishtinaset ishte humbja e parë pas dy fitoreve. Më e mira te Bashkimi ishte Sarah Mgbeike me 23 pikë e 9 kërcime, ndërsa te Prishtina spikati Jade Williams me 12 pikë e 14 kërcime.

02

Java e tretë do të mbyllet sot me ndeshjen Penza-Flamurtari, takim që do të luhet në Pejë në orën 17:00.

03

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"