Basha: Doja trofe me Kukësin, koha për një tjetër aventurë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 15, 2023 | 0:31

Basha: Doja trofe me Kukësin, koha për një tjetër aventurë

Edi Basha ishte i huaji i vetëm që mbijetoi në Kukës në verën e vitit të kaluar, për shkak të performancës së tij pozitive me skuadrën, ku edhe ishte golashënuesi më i mirë i ekipit me 10 gola.basha

Mirëpo, viti i dytë te verilindorët nuk shkoi ashtu si duhet dhe mesa duket, kroati do të largohet mes pengjeve që nuk arriti synimet me verilindorët, me kontratën që i ka mbaruar. Klubi nuk e ka kontaktuar për të parë mundësinë e rinovimit, ndërsa në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, 29-vjeçari shprehet se nuk e përjashton mundësinë e vijimit të karrierës në vendin tonë, me ofertat që nuk i kanë munguar.

Basha, ju përfundoi kontrata me Kukësin. Do të qëndroni sërish në këtë skuadër apo jeni larguar tashmë?

Pas dy vitesh, kam përfunduar aventurën time te Kukësi. Tani për tani nuk kam ndonjë ide se ku do të vazhdoj karrierën. Njerëzit nga klubi ende nuk më kanë telefonuar apo të më kenë ofruar qëndrimin te Kukësi.

Si ishte për ju kjo aventurë 2-vjeçare në Shqipëri?

Në dy vite kam pasur shumë momente të mira që do t’i kujtoj përgjithmonë, qoftë brenda klubit dhe jashtë tij.

Megjithatë, sezoni i dytë nuk shkoi si duhet për ju në aspektin personal. Çfarë ndodhi?

Në futboll është normale të kesh momente të mira dhe të këqija, sepse nuk je vetëm. Në këtë sport janë të përfshira shumë segmente, por e rëndësishme është të rritesh nga çdo situatë.

Si do ta konsideronit futbollin shqiptar me aq sa e njohët, duke i bërë një krahasim me kampionatet e vendeve të tjera ku keni luajtur?

Futbolli shqiptar është shumë i mirë dhe çdo sezon i ri niveli është më i madh. Kjo ndodh, sepse klubet këtu punojnë mirë për të arritur një nivel më të lartë dhe për të ngritur më shumë lojtarë cilësorë.

Do t’ju pëlqente një tjetër aventurë në Superiore?

Do të jem gjithmonë gati të luaj në ligën shqiptare, sepse kam pasur përvojë të mirë dhe jam ndierë mirë këtu. Të jem i sinqertë nuk më kanë munguar ofertat, por jam duke parë të gjitha mundësitë, edhe jashtë Shqipërisë dhe më pas të shohim.

Keni ndonjë peng nga aventura juaj me Kukësin?

Më vjen keq që nuk morëm dot një trofe. Sezonin e kaluar kemi pasur mundësinë që të merrnim pjesë në Kupat e Europës, por nuk ndodhi.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL