Barazim pa vlera, Besëlidhja e Kamza pranë zonës së ftohtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2012 | 13:02

Barazim pa vlera, Besëlidhja e Kamza pranë zonës së ftohtë

BESËLIDHJA-KAMZA 0-0
BESËLIDHJA: Xhika, Kepi, Peqini, K.Dibra, Shytani, Gruda, Lekaj, Beqiri, Pepaj, Malasi, A.Dibra. Trajner: L.Zenuni
KAMZA: Bytyçi, Beqiri, Mullaj, F.Tafaj, Dosti, Xhemalaj, Ruço (Koleci 81′), Capa, Kaloti, Maho (Koçi 90+1′), Blloku (Mehmeti 60′). Trajner: Sh.Berberi
KARTONË TË VERDHË: Kepi 43′, Pepaj 62’/ Blloku 40′, Dosti 88′
GJYQTARË: K.Cjapi (Fier), N.Rrapaj (Patos), E.Malo (Lushnjë)
DELEGAT: K.Toçi (Durrës)
VËZHGUES: E.Meçi (Vlorë)

Besëlidhja nuk ka shkuar më shumë se një barazim pa gola në ndeshjen e djeshme ndaj Kamzës. Lezhjanët tregojnë edhe njëherë se janë në krizë. Për ta jo vetëm që Superiorja tashmë mbetet vetëm një ëndërr, por janë edhe shumë pranë zonës së ftohtë. Ndeshja – Loja ka nisur me një minutë heshtje në nderim të gjyqtarit Rigels Pjetrushi, i cili u nda nga jeta një javë më parë në një aksident në Gjirokastër. Në minutën e 2-të Malasi i vendësve nga e djathta sulmon rrezikshëm, por mbrojtja mike shkakton një faull në dëm të tij. Goditja ekzekutohet nga Gruda, por përfundon jashtë. Pas këtij sulmi loja zhvendoset thuajse në mesfushë, ku aksionet e të dyja skuadrave shuhen pa hyrë ende në zonat respektive. Vlejnë për t’u përmendur dy aksione. I pari në minutën e 10-të, kur Arenc Dibra tenton të hyjë në zonë dhe të realizojë, por është ndalur në momentin e duhur. Pas këtij momenti këmbëngulin miqtë me anë të Xhemalajt që në të 18-ën kroson rrezikshëm në zonën lezhjane, por topi nuk shfrytëzohet nga kolegët e tij sulmues. Në minutën e 28-të, lezhjanët organizojnë një sulm të rrezikshëm nga e djathta me anë të Malasit, por mbrojtja mike është e përgatitur dhe shmang rrezikun. Pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura. Fraksioni i dytë është shumë i ngjashëm me të parin. Në minutën e 47- të Malasi gjuan nga e djathta diagonalisht, por pa rrezik për Bytyçin. Në të 49-ën, Dibra shërben për Grudën që gjuan në kuadrat, por pret Bytyçi. Lezhjanët nuk rreshtin së sulmuari në kërkim të golit. Në të 72-ën është kapiteni i Besëlidhjes, Pepaj, që depërton në zonë, por gjuajtja e tij përfundon jashtë. Në minutën e fundit të kohës së rregullt vendësit fitojnë një goditje dënimi afër zonës mike, por përsëri Gruda nuk realizon. Edhe pse u akorduan tri minuta shtesë, asnjë prej skuadrave nuk mundi të zhbllokojë rezultatin dhe sfida mbyllet me rrjeta të paprekura. Si Besëlidhja, edhe Kamza renditen shumë pranë zonës së rënies nga kategoria.

Shahin Berberi
“Duke menduar se ndeshja do të ishte vendimtare, pasi të dyja skuadrat kanë në përbërje futbollistë kualitativë, u zhvillua një lojë e fortë. Kjo përballje ishte një nga më të bukurat që kanë luajtur këto skuadra, mirëpo barazimi na ka prishur shumë punë. Tani duhet të mendojmë për takimin e radhës. Kampionati është i gjatë dhe në lojë ka ende edhe shumë pikë”.

Dështimi
Besëlidhja mund të konsiderohet si një prej skuadrave që po dështon këtë sezon. Megjithëse në fillim të kampionatit u fol për objektiva të qartë për t’u ngjitur në Superiore, skuadra e drejtuar nga Ledion Zenuni është larg synimeve. Jo vetëm që është shumë larg dy vendeve të para që të dërgojnë në Superiore, por tani ndodhet pranë zonës së ftohtë të rënies nga kategoria.
Preng Gjikola

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"