Barazim në Sarandë, kënaqen mamurrsakët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2012 | 13:00

Barazim në Sarandë, kënaqen mamurrsakët

Butrinti – Mamurrasi 0-0
BUTRINTI: Demi, Koshi (Gjoka 77′), Batha, Xhibro, Alzeneli, Dalipaj, Nelaj (Rugji 54′), Muço, Rapa, Papa, Osmani. Trajner: A. Bedini
MAMURRASI: Myrta, Baçi, Verli, Sela, Lamaj, Demaj, Grishi (Shushku 63′), Allmeta, Hysaj (Kaziu 53′), Metaj (Batusha 90+3′), Shima. Trajner: S. Bardhi
GJYQTARË: K. Meta, D. Myftari, P. Berjolli (Tiranë)
KARTONË TË VERDHË: Muço 30′, Xhibro 68′, Batha 75′ / Shima 42′, Allmeta 52′, Demaj 75′, Metaj 90+1′
DELEGAT: Xh. Kaçorri (Memaliaj)
VËZHGUES: I. Lame (Tiranë)

Ekipi i Butrintit nuk shkon më shumë se një barazim në shtëpi ndaj Mamurrasit. Vendësit kanë një mori rastesh gjatë gjithë takimit, por nuk arrijnë të shënojnë, edhe pse e tronditin dy herë shtyllën e miqve mamurrsakë. Ndeshja – Loja nis me një minutë heshtje në përkujtim të arbitrit Rigels Pjetrushi. Që në minutat e para Butrinti rrezikon me anë të Nelajt, por pa asnjë rrezikshmëri për portierin Myrta. Në minutën e 7-të ka një aksion model të vendësve, kombinim brenda zonës së rreptësisë me pasime të shkurtra, Dalipaj, Papa, Osmani dhe në fund Muço, i cili gjuan, por grushton Myrta, Muço gjuan sërish me kokë në duart e portierit mik. Në minutën e 21- të Papa kroson nga një goditje këndi, spastron mbrojtja mike duke ia dorëzuar topin Alzenelit, i cili shkarkon të djathtën dhe topi trondit traversën. Miqtë nuk kanë shumë pretendime, kjo pasi vinin edhe me gjashtë mungesa të rëndësishme. Megjithatë, ata mundohen të shfrytëzojnë në maksimum goditjet standarde. Katër minuta më vonë Muço gjuan me kokë brenda zonës dhe topi përplaset në shtyllën pingule, që do të jetë edhe aksioni i fundit për pjesën e parë. Pjesa e dytë nis me vrull dhe mamurrsakët mbyllen në gjysmëfushën e tyre, por nuk ndihen aspak inferiorë, pasi në minutën e 55-të rrezikojnë me anë të Allmetës, ndonëse gjuajtja e tij pritet nga portieri Demi. Butrinti humb shumë raste në minutat në vazhdim, me anë të Papës, Osmanit, Muços dhe Alzenelit. Deri në përfundim Butrinti mundohet të shënojë dhe në fund godet edhe traversën, por nuk arrin dot ta gjejë rrugën e rrjetës.
Bedini – “Ekipi luajti shumë mirë. Përveç dy shtyllave, kishim edhe shumë raste të pastra për të shënuar, ku 5-6 prej tyre ishin flagrante. Arbitri nuk ishte në nivelin e duhur, megjithatë Mamurrasi mbrohej me 10 vetë. Duhet të shikojmë përfundimin e aksioneve, pasi këtë dobësi e kemi pasur. Pikët që lamë sot besoj se do i rikuperojmë në ndeshjen e ardhshme”, – tha trajneri sarandjot pas ndeshjes.

Bardhi: Rezultat i kënaqshëm
Me gjashtë mungesa në formacion, skuadra e Mamurrasit nuk mund të pretendonte më shumë se një barazim në takimin e djeshëm në transfertë ndaj Butrintit. Vetë trajneri mamurrsak është i kënaqur për pikën e marrë. Ja si shprehet ai pas takimit: “Erdhëm në Sarandë, luajtëm dhe morëm një pikë që na interesonte. U munduam të zhvillonim lojën tonë, por nuk ia dolëm, sepse Butrinti kishte një ekip simpatik që bënte lojë të bukur. Ne do të vazhdojmë rrugën tonë drejt objektivit final që kemi në këtë sezon futbollistik: ngjitjen në Superiore. Edhe pse përpara na pret një rrugë e vështirë, unë jam i bindur se do t’ia dalim”, – ka përfunduar Bardhi.
Gerald Bregu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"