Avrami: Besojmë ndaj Zvicrës, të tjerat janë të fortë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2012 | 11:46

Avrami: Besojmë ndaj Zvicrës, të tjerat janë të fortë

Edhe 24 orë na ndajnë nga starti i kualifikueseve të kampionatit evropian në basketboll për meshkuj, finalet e të cilit zhvillohen në Slloveni në 2013-ën. Kohë më parë, në pikëpyetje për të marrë pjesë, të privuar edhe nga financat e pakta, tashmë kuqezinjtë e trajnerit Roland Avrami janë të motivuar më shumë se kurrë për një përfaqësim dinjitoz. Të parët që do të zbresin në impjantin sportiv “Asllan Rusi” janë zviceranët, në orën 20:30. Pas një serie miqësoresh me bilanc në favor të tyre, katër fitore dhe 1 humbje, kreu i pankinës kuqezi thuajse i ka vënë pikët mbi “i” për eliminatoren e parë, e vlefshme për Grupin E, aq sa i beson edhe suksesit. “Për kohën që patëm në dispozicion jam i kënaqur me formën e skuadrës dhe atë se çfarë ofroi në ndeshjet miqësore. Pretendimet janë për të marrë një fitore ndaj Zvicrës, si i vetmi ekip që mund ta rivalizojmë. Ndërsa për kundërshtarët e tjerë, pastaj është thuajse e pamundur të shpresojmë pasi dihet niveli i tyre dhe i kampionatit tonë. Megjithatë, e gjithë skuadra është e mobilizuar për të dhënë maksimumin e saj dhe do ta shfrytëzojmë në maksimum faktorin fushë. Si në miqësoret e zhvilluara dhe në fazën përgatitore u vu re një harmonizim mes lojtarësh, tregues që duhet përshëndetur. Pra, për këto eliminatore do të kemi një grup simpatik, solid, si dhe të qëndrueshëm. Na është dashur të sfidojmë edhe temperaturat e larta, por ritmi ka qenë i njëjti, dëshirë dhe përqendrim maksimal”, – deklaroi për gazetën trajneri i Kombëtares shqiptare në basketboll për meshkuj, Roland Avrami. Të mërkurën e 15 gushtit do të luhet në mbrëmje për Grupin E edhe sfida Poloni-Belgjikë. Në një prononcim për faqen zyrtare të Federatës Evropiane të Basketbollit, i riu polak Mateush Ponitka do të deklaronte se grupi është i fortë. “Finlanda, Belgjika dhe ne jemi favoritët që do të luftojnë për 2 vendet e para”. Nga ana tjetër, trajneri i Polonisë, Ales Pipan, është i bindur se ekipi i tij do të kualifikohet në “Eurobasket 2013”, por pranon se nuk do të jetë e lehtë, pasi reparti i mbrojtjes ka ende nevojë për përmirësime. Shqipëria është në grup me Zvicrën, Finlandën, Poloninë dhe Belgjikën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"