“Apolonia të besojë te ‘play off’-i, ja shkaqet e luhatjeve”, Ish-trajneri Bledar Borova skanon sezonin e fierakëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2024 | 18:36

“Apolonia të besojë te ‘play off’-i, ja shkaqet e luhatjeve”, Ish-trajneri Bledar Borova skanon sezonin e fierakëve

Ish-trajneri Bledar Borova fut në “skaner” Apoloninë. Ecuria, defektet që kanë shfaqur në 24 javë, finalja e parakohshme me Korabin dhe objektivat, kalojnë në “lupën” e Borovës.

apolonia

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ai pohoi se Apolonia i ka të gjitha shanset për t’u ngjitur në Superiore nga “play off”-i.

Borova, cili do të ishte ‘skaneri’ juaj për Apoloninë aktuale?

As më shumë dhe as më pak se sa një Apoloni me luhatje të vazhdueshme. Nëse deri në nëntor kishim besim e shpresë se mund të konkurronim deri në fund për të qëndruar në dy vendet e para, mjaftuan thjesht 2-3 muaj për të treguar më së miri se renditja aktuale është ajo që meritojmë vërtetë. Ndeshjet direkt me ekipet rivale tregojnë gjithçka. Ekipi ka marrë 5 pikë nga 24 të mundshme, shumë pak për të mos thënë asgjë.

Çfarë ka ndikuar te luhatjet e skuadrës?

Së pari, ka ndikuar grupi i limituar i lojtarëve. Së dyti, mungesa e lojtarëve lider, ata që duhet të marrin më shumë përgjegjësi dhe bëjnë  diferencën. E fundit, çekuilibrimi i skuadrës, si në fazën mbrojtëse dhe atë sulmuese. Mos të harrojmë se deri në dhjetor kishim mbrojtjen më të mirë, pas Bylisit. Tani pësojmë gol thuajse në çdo ndeshje. Gjithçka është shkak-pasojë.

Mendoni se kanë ndryshuar diçka pas ardhjes së trajnerit Mërgjyshi?

Si profesionist dhe dashamirës, unë kam qenë i interesuar për të ndjekur ecurinë e Apolonisë edhe me trajnerin Artan Mërgjyshi. I kam ndjekur të gjitha ndeshjet në Fier. Për mendimin tim kanë prodhuar lojëra të bukura. Mërgjyshi është trajner i zoti, e njeh shumë mirë ambientin. Mendoj se po transmeton qetësinë e duhur dhe po shton besimin që këtij sezoni aktual mund t’i marrin maksimumin.

Kundër Lushnjës u pa një ekip që rrezikoi shumë. Pse ndodhi kjo gjë?

Pas golit të avantazhit, ekipi mendoi më shumë të administronte rezultatin. Ky ishte gabimi i parë, pasi ishin edhe 40 minuta lojë. Duhej pak më shumë gjakftohtësi apo intuitë për të zgjidhur ato situata në zonën kundërshtare në favor të saj. Pozicionimi ynë poshtë, thuajse në 20 metrat e fundit, solli edhe presionin e vazhdueshëm të kundërshtarit, i cili na vuri jo pak herë në vështirësi.

Të dielën në Fier presin Korabin, çfarë prisni nga ky duel?

Do të jetë një ndeshje delikate për të dyja ekipet. Ajo që i bën bashkë është uria që kanë për pikë në këtë fazë. Finalen e parakohshme mes Apolonisë dhe Korabit do ta vendosin episodet. Tifozët do të jenë të fituarit, pasi të dyja skuadrat luajnë futboll të bukur dhe të shpejtë. Barazimi nuk i hyn në punë askujt. Në këtë situatë parashikoj një ndeshje të hapur me gola dhe shumë emocione.

A e shikoni Apoloninë pretendente për Superioren përmes “play off”-it?

Loja që prodhon ekipi është një garanci e madhe, por rruga është më e gjatë dhe shumë e ndërlikuar. Ky ekip i ka të gjitha shanset për t’u ngjitur në Superiore nga “play off”-i. Duhet t’i shfrytëzoj më së miri këto finale, pasi janë ndeshje teke dhe nuk ka favoritë. Ky sezon ka treguar se asnjë ekip nuk duhet të nënvlerësohet.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"