Apolonia, Mërgjyshi ngre “kurthin” për Korabin. Trajneri kërkon aksione me shpejtësi dhe finalizim para porte

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 14, 2024 | 16:40

Apolonia, Mërgjyshi ngre “kurthin” për Korabin. Trajneri kërkon aksione me shpejtësi dhe finalizim para porte

Apolonia do të luajë të dielën në Fier kundër Korabit dhe gjithë fokusi është drejtuar te ky takim. Në seancën e djeshme ekipi punoi kryesisht në aspektin tekniko-taktik për të shmangur problemet e hasura në ndeshjen e fundit. 

Artan Mërgjyshi, gjatë seancës së parë si trajner i Apolonisë 9

Trajneri Artan Mërgjyshi ka kërkuar balancë nga ekipi në të dyja fazat e lojës dhe më shumë përqendrim në momentet kur kundërshtari ka topin në zotërim. Po ashtu, në vëmendje ka qenë edhe presingu lart, duke ditur që Korabi ka qarkullim të mirë të topit. Këshilla kanë marrë nga trajneri edhe qendrat e mbrojtjes, sepse do të kenë të bëjnë me një lojtar goli si Taulant Marku, pikë referimi e sulmit dibran.

Mbulimi një për një do t’i besohet shkodranit Serjan Repaj, ndërsa Ndubuisi mund ta dublojë në rastet e nevojshme. Vëmendje iu kushtua gjatë seancës së djeshme ndërtimit të aksioneve të shpejtë dhe finalizimin në portë. Ky ushtrim u bë disa herë, madje edhe me protagonistë të ndryshëm, por ajo që ra në sy, ishte se u shënuan vetëm katër gola. Shpejtësi u kërkua  edhe nga reparti difensiv duke i kushtuar vëmendje topit të parë.

Mërgjyshi nuk dëshiron të pësojë gol nga goditjet standarde, prandaj i vendosi lojtarët në pozicion mbrojtës për të larguar rrezikun dhe për t’u nisur me shpejtësi përpara. Në fund, pasi seanca stërvitore përfundoi, disa lojtarë si Repaj, Bejzade dhe Trifoni provuan goditje të ndryshme dënimi. Të tre shënuan gola spektakolarë duke shkëmbyer edhe batuta me njëri-tjetrin. Apolonia ka kujtime të hidhura me Korabin, pasi pikërisht në stadiumin “Loni Papuçiu”, nuk ia ka dalë dy herë të ruajë avantazhin me dibranët, që kanë barazuar në kohë shtesë.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"