Apolonia beson te shifrat në derbi, pritet fitorja e tretë sezonale ndaj skuadrës lushnjare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 7, 2024 | 17:01

Apolonia beson te shifrat në derbi, pritet fitorja e tretë sezonale ndaj skuadrës lushnjare

Fitorja ndaj Kastriotit ka konsoliduar pozitat e Apolonisë, që ndihet komod në vendin e pestë dhe e shikon veten pretendente për të pasur një vend të sigurt në fazën “play off”. Nën drejtimin e trajnerit Artan Mërgjyshit, në klub shpresojnë te rezultatet, pasi lojërat e mira nuk i kanë munguar asnjëherë.

Apolonia grumbull 9

Dy javët në vazhdim janë shumë të rëndësishme për Apoloninë, pasi luajnë me rivalët direkt, ndaj të cilëve një fitore vlen dyfish. Fillimisht, fierakët do të udhëtojnë në Lushnje, ku në dy derbet e fundit kanë marrë pikët e plota. Kështu që, Apolonia pret fitoren e tretë sezonale ndaj lushnjarëve. Pas derbit, në shtëpi presin Korabin. Bilanci me këtë rival është pozitiv, pasi një herë e ka mundur dhe një herë është ndalur në barazim.

Ndonëse ka ende garë deri në fund të kampionatit, në rast se fierakët nuk kanë vazhdimësi në këto dy ndeshje të rëndësishme, atëherë  misioni “play off” bëhet më i vështirë. Rivalët mund të shkëputen në renditje, por edhe mund të afrohen aq sa bëhet gjithçka edhe më e vështirë për t’u arritur. Gjithsesi, në Fier besojnë se ka ardhur koha që të ketë vazhdimësi në kampionat dhe ekipi të nis serinë e fitoreve radhazi.

Serjan Repaj –Para Lushnjës, vijnë lajme të mira nga infermieri, pasi ka gjasa që trajneri Mërgjyshi të ketë të gatshëm  qendërmbrojtësin, Serjan Repaj. Ai ka rezultuar si një nga lojtarët më të pafat sa u përket lëndimeve, por duket se është rikuperuar dhe është vënë menjëherë nën urdhrat e stafit me ngarkesë të plotë. Kundër Lushnjës Repaj hedh kandidaturën për ta nisur titullar. Tani më shumë se kurrë, fierakët kanë nevojë për shërbimet dhe sigurinë e tij në prapavijë, pasi konsiderohet si një nga lojtarët më të rëndësishëm.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"